Presidenti kinez Hu Gjintao i jep fund vizitës në Shtetet e Bashkuara

  • Zëri Amerikës

Presidenti kinez Hu Gjintao i jep fund vizitës në Shtetet e Bashkuara

Presidenti kinez Hu Gjintao i dha fund vizitës së tij katër ditëshe në Shtetet e Bashkuara, me një ndalesë në qytetin e Çikagos. Sot ai u takua me nxënës të një shkolle të mesme që ofron mësime mbi gjuhën dhe kulturën kineze. Më pas ai u takua edhe me udhëheqës biznesi në një uzinë kineze për prodhimin e pjesëve të këmbimit për automjete.

Udhëheqësi kinez mbërriti dje në Çikago ku u takua me kryetarin e bashkisë Richard Deili dhe u prit në një darkë ceremoniale nga udhëheqësit lokalë. Ai vlerësoi qytetin e Çikagos si shembull i shpirtit sipërmarrës që e ka bërë amerikanë superfuqi.

Presidenti kinez shkoi në Çikago pas takimeve në Uashington me presidentin Obama dhe udhëheqës të Kongresit, ku u diskutuan një numër temash, që nga Koreja e Veriut, të drejtat e njeriut dhe ekonomia.

Në një konferencë për shtyp me zotin Obama, ditën e mërkurë, Presidenti kinez Hu Gjintao tha se Kina ka shumë për të bërë për të përmirësuar respektimin e të drejtave të njeriut.