Presidenti i Kosovës, Bexhet Pacolli, tha sot se prodhuesit dhe tregtarët shqiptarë ka ardhur koha të zgjerojnë bashkëpunimin midis tyre, duke ndërtuar sa më shpejt një treg të përbashkët. Presidenti Pacolli pohoi gjatë një fjalimi para Forumit të Biznesit Shqipëri - Kosovë se të dy vendeve u mungon hapësira e veprimit dhe se tregu është shumë i vogël, ndaj duhet të krijojnë një hapësirë më të gjerë tregtare. Zoti Pacolli u tha përfaqësuesve të biznesit se të dy vendet duhet dhe do t’i heqin disa barriera doganore formale që kanë mbetur ende, sepse ato e pengojnë bashkëpunimin më të madh ekonomik mes tyre.
http://www.youtube.com/embed/6MUgod9T-BI
Presidenti Pacolli tha se humbjet që vijnë nga ulja e taksave doganore, do të përfitohen shumëfish nga bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik midis dy vendeve. Ai tha se do të punonte shumë dhe kish marrë edhe premtimet e udhëheqësve të Shqipërisë që sa më shpejt të hiqen barrierat doganore mes dy vendeve dhe të ketë një lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave. Presidenti Pacolli ngriti lart sakrificat e investuesve dhe prodhuesve shqiptarë, që me firmat e tyre bëhen burimi kryesor i punësimit dhe të ardhurave për të gjithë shoqërinë. Sipas tij, tregtarët shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë duhet të krijojnë një treg dhe bashkëpunim të ngushtë mes tyre, por duhet të jenë të hapur edhe për ata maqedonas, edhe për ata malazezë, pse jo edhe për ata të jugut të Serbisë.
“Shqipëria dhe Kosova - tha presidenti Pacolli - do të jenë një treg i përbashkët në të ardhmen; prodhimet e Shqipërisë le të vijnë të gjitha në Kosovë dhe prodhimet e Kosovës le të vijnë të gjitha në Shqipëri”. Ai tha se nuk ka asnjë pengesë që shqiptarët të punojnë bashkë në të njëjtat firma prodhuese, apo tregtare, madje nuk ka asnjë pengesë që edhe librat shkollore e akademike t’i kenë të njëjta. Ai hodhi idenë që edhe ligjet e Bashkimit Eropian të përkthehen dhe të zbatohen njëkohësisht në të dy anët e kufirit.
Presidenti i Kosovës, Bexhet Pacolli vizitoi për dy ditë Shqipërinë, ku u takua me drejtuesit kryesorë të shtetit dhe politikës shqiptare në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë Prishtinës.