Presidenti Joe Biden niset të enjten drejt Evropës në atë që shihet si një shfaqje e fortë e diplomacisë amerikane. Ai do të marrë pjesë në takimin e 20 vendeve më të pasura të botës (G-20) që mbahet në Romë si dhe në një samit të madh mbi klimën (COP26) që zhvillohet në Glasgou të Skocisë.
Presidenti Biden do të ndalet fillimisht në Romë për samitin e G-20-ës që mbahet në datat 30 dhe 31 tetor, takim ku pritet të diskutohet rreth pandemisë, ndryshimeve klimatike e çështjeve ekonomike me rëndësi globale. Me pas ai do të shkojë në samitin e COP26-ës, një konferencë dyditore e Kombeve të Bashkuara për klimën, që fillon më 1 nëntor. Por para kësaj zoti Biden pritet të takohet me Papa Françeskun, kreun e kishës katolike, një besimtar i devotshëm i së cilës është edhe ai vetë.
Presidenti kinez Xi Jinping dhe ai rus Vladimir Putin nuk do të marrin pjesë personalisht në asnjërin prej samiteve. Këtë javë Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan u tha gazetarëve këtë javë se Presidenti Biden do të jetë ai që do të udhëheqë të dy këto forume.
"Shtetet e Bashkuara dhe Evropa do të jetë atje, plot energji e të bashkuar, duke udhëhequr axhendën si në G-20 ashtu edhe në COP26", tha zoti Sullivan.
Por kjo nuk do të jetë e lehtë për zotin Biden, të cilit i duhet të rikthejë besueshmërinë tek Shtetet e Bashkuara pas tërheqjes kaotike nga Afganistani dhe problemeve me aleatin transatlantic, Francën, lidhur me marrëveshjen për prodhimin e nëndetëseve bërthamore që përfshin Australinë, Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara, marrëveshje që u bë shkak për prishjen e një kontrate disa miliarda dollarëshe mes Francës dhe Australisë, po për prodhimin e nëndetëseve.
Këto janë disa nga çështjet tek të cilat Presidenti Biden dhe udhëheqësit e tjerë botërorë do të përqëndrohen gjatë takimeve të tyre.
Kriza klimatike
Samiti i Romës do të përqëndrohet kryesisht tek zbatimi i veprimeve më agresive lidhur me klimën. Në Grupin e 20-s përfshihen 19 vendet me ekonomitë më të fuqishme në botë dhe Bashkimi Evropian, të cilat përbëjnë dy të tretat e popullsisë globale, 80 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto botëror si dhe janë përgjegjëse për emetimin e rreth 75 për qind të sasisë së gazit që shkakton efektin serrë.
Këto vende pritet të ndërmarrin angazhime të reja për reduktimin e emetimit të gazit karbonik për të përmbushur zotimet e ndërmarra në kuadër të Marrëveshjes së Parisit për Klimën të vitit 2015, e cila kërkon kufizimin e ngrohjen globale në 2 gradë Celsius, ose çka do të ishte më idealja në 1.5 gradë Celsius. Për të përmbushur këtë objektiv, emetimi i gazit në nivel botëror duhet të përgjysmohet deri në vitin 2030 e të arrijë në zero rreth mesit të shekullit.
Zoti Biden pritet të theksojë angazhimin amerikan për të ulur emetimin e gazit karbonik me 50 deri në 52%, deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 2005. Por nuk është e sigurt nëse ai mund ta realizojë axhendën e tij mbi klimën ndërkohë që dy projektligjet e tij të mëdha, një që lidhet me infrastrukturës dhe tjetri me shpenzime në fushën sociale po hasin vështirësi për t'u miratuar në Kongres.
Qymyri është një pikë kyçe e mosmarrëveshjeve si në takimin e G-20ës ashtu edhe atë të COP26-s. OKB-ja ka bërë thirrje që deri në vitin 2030 vendet e pasura të heqin dorë nga përdorimi i qymyrit, por ministrat e mjedisit të vendeve të G-20-ës nuk kanë arritur të bien dakord për një afat kohor.
Indonezia, një nga emetuesit më të mëdhenj të gazit karbonik që do të marrë presidencën e G-20 në dhjetor, pritet të nxisë vendet e zhvilluara të përmbushin premtimet e tyre për të siguruar 100 miliardë dollarë në vit për projekte lidhur me klimën duke mbështetur vendet në zhvillim, për të zvogëluar emetimin e gazit karbonik e për të zbutur ndikimin e ndryshimeve klimatike. Shtyrja e mëtejshme e këtyre angazhimeve mund ta zbehë besimin tek këto forume.
Reagimi ndaj pandemisë
Ministrat e financave dhe shëndetësisë të G-20-ës po krijojnë një mekanizëm të ri për të luftuar pandemitë e ardhshme. Në një letër drejtuar kolegëve të tyre të G-20-ës, Sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen dhe Ministri i Financave i Indonezisë Sri Mulyani Indrawati, thanë se ky mekanizëm do të lehtësonte koordinimin global për pandemitë e ardhshme e do të krijonte një strukturë të re financimi për kërcënimet në vazhdim.
G-20 po përballet me një trysni për të trajtuar çështjen e pabarazisë në shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19-ës. Të dhënat tregojnë se ka ende një mungesë prej 500 milionë dozash për të arritur objektivin e vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për vaksinimin e rreth 40 për qind të popullsisë botërore deri në fund të vitit 2021.