Papa Françesku lutet “për faljen e Zotit” lidhur me abuzimet seksuale

Papa Françesku u lut “për faljen e Zotit” lidhur me çështjen e abuzimeve seksuale që ka përfshirë Kishën Katolike Romane.

Në komentet që bëri të dielën gjatë një vizite tek një objekt i shenjtë për katolikët në Knock të Irlandës, Papa tha se skandali është një “plagë e hapur” dhe se duhen marrë masa të forta dhe vendimtare për të vënë në vend “të vërtetën dhe drejtësinë”.

Papa Françesku foli kundër praktikës së adoptimeve të detyruara të fëmijëve irlandezë, që “ishin marrë nga duart e nënave të tyre”, një praktikë e disa institucioneve katolike të drejtuara nga Kisha, kur fëmijët i lindnin nëna të pamartuara.

“Asnjeri prej nesh nuk mund të përmbahet kur dëgjon tregimet e të miturve që pësuan këtë abuzim, të cilët u grabitën nga pafajësia e tyre dhe u morën nga nënat e tyre duke përjetuar kujtime të dhimbshme” tha ai.

Papa foli rreth birësimeve të detyruara të Irlandës gjatë një lutjeje të dielën në faltoren Knock, të dedikuar nënës së Krishtit, Shën Mërisë.

Ai i bëri komentet pasi u takua të shtunën me disa persona që i kishin adoptuar, të cilët i kërkuan atij të denoncohej praktika, të kërkohej falje nga murgeshat përgjegjëse dhe t’i siguronte nënat që të mund t’i kërkonin fëmijët e tyre të humbur, nga frika e mëkatit.

Papa Françesku u lut që abuzime të tilla të mos përsëriten më dhe që Kisha “të vazhdojë t’i trajtojë me drejtësi këto raste, duke i ndrequr ato –kur ajo është përgjegjëse”.

“Kjo plagë e hapur shtron para nesh detyrën që të jemi më të prerë dhe të vendosur, në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë”, - tha Papa.

Papa i dha fund të dielën ditës së dytë të vizitës së tij në Irlandë, me një meshë në qiell të hapur në Parkun Phoenix të Dublinit. Gjatë meshës ai kërkoi përsëri falje për rastet kur Kisha kishte dështuar për t’i ofruar dhembsuri “të mbijetuarve të çdo lloj abuzimi”.

Qindra mijëra njerëz kishin dalë për të dëgjuar Papën, duke sfiduar motin me shi dhe erë. Mijëra të tjerë kishin dalë në pika të tjera të qytetit, për të demonstruar kundër abuzimeve të klerikëve. Protestuesit në qytetin Tuam lexuan emrat e rreth 800 foshnjeve dhe fëmijëve të vegjël që vdiqën në një jetimore të drejtuar nga katolikët, gjatë viteve 1950.

Thirrja e Papës për të kërkuar falje për skandalin e abuzimeve seksuale erdhi, ndërsa një letër e Peshkopit Carlo Maria Vigano u publikua në Regjistrin Kombëtar Katolik. Në letrën prej 11 faqesh, Vigano, ish ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Vatikan, i akuzon Papa Françeskun dhe zyrtarë të tjerë të Vatikanit, se i kanë injoruar thëniet për abuzim seksual kundër Kardinalit amerikan Theodore McCarrick, i cili u detyrua të jepte dorëheqjen muajin e kaluar, pasi një hetim i një kishte zbuloi se pretendimet se ai kishte ngacmuar seksualisht një minoren ishin me bazë.

Vigano thotë në letër, se ai i kishte treguar Papa Françeskut në vitin 2013 për akuzat ndaj zotit McCarrick, se ai kishte abuzuar seksualisht me anëtarët e seminarit, por Papa i kishte hequr sanksionet ndaj tij, që i kishte vendosur Papa Benedikti.

Të shtunën, Papa Françesku u takua për më tepër se një orë me të mbijetuar të abuzimeve seksuale nga klerikët në Irlandë dhe ai u shpreh kundër anëtarëve të klerit që kishin kryer abuzimet, ose që i kishin mbuluar ato.