Papa takohet me udhëheqësit e Kishës Katolike amerikane

Papa Françesku u takua të enjten me udhëheqësit e kishës katolike amerikane, për të diskutuar pasojat e një skandali që përfshin një ish-kardinal amerikan dhe kërkesën e një kryepeshkopi që Papa të japë dorëheqjen.

Ndërsa po mbahej takimi, Vatikan njoftoi se Papa Françesku ka urdhëruar hetimin e një peshkopi amerikan të akuzuar për abuzim seksual me të rritur dhe ka pranuar dorëheqjen e tij.

Kisha Katolike në mbarë botën po tronditet nga skandale që lidhen me abuzimin seksual të të miturve. Sondazhet tregojnë një rënie të besimit ndaj Kishën në Shtetet e Bashkuara, Kili, Australi dhe Irlandë, vende të goditura më së shumti prej skandaleve, por dhe në vende të tjera.

Peshkopi që dha dorëheqjen është Michael J. Bransfield, 75 vjeç, nga dioqeza e Wheeling-Charleston që ndodhet në Virxhinian perëndimore. Vatikani tha se Papa ka emëruar në drejtim e saj kryepeshkopin William Lori të Baltimores, deri në zgjedhjen e një peshkopi të ri.