Akuza të ndërsjella në takimin mes shefave të diplomacisë së SHBA dhe Kinës

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i tha homolgut të tij kinez se Shtetet e Bashkuara kanë “shqetësime të mëdha” për veprimet e Kinës, në një takim që nxjerr në pah keqësimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Pekinit.

"Kemi një mosmarrëveshje themelore”, i tha zoti Pompeo ministrit të jashtëm kinez, Wang Yi të hënën në Pekin, në një takim ku të dyja palët përdorën një gjuhë pa doreza, diçka e pazakontë për një takim të tillë diplomatic.

Zoti Wang i akuzoi Shtetet e Bashkuara se kanë shkallëzuar tensionet për luftë tregtare mes dy palëve dhe e trajtojnë Tajvanin në një mënyrë “që dëmton interesat bazë” të Kinës.

Pekini e konsideron Taivanin pjesë të vetën.

Vizita në Pekin zhvillohet vetëm disa ditë pasi Nënpresidenti Mike Pence mbajti një fjalim me terma të forta ku akuzonte Kinën për aggression ushtarak, tregti hajdute, rëndim të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe ndërhyrje në procesin elektoral kundër zotit Trump.

Në një njoftim nga pala amerikane pas takimit të së hënës, thuhej se zoti Pompeo "foli hapur për çështjet për të cilat Shtetet e Bashkuara dhe Kina nuk janë dakord, përfshirë për Detin e Kinës së Jugut dhe të drejtat e njeriut. Ai e vuri theksin tek rëndësia e ruajtjes së paqes dhe qëndrueshmërisë në të dy anët e ngushticës”.

Të dy kryediplomatët folën gjithashtu për nevojën për bashkëpunim më të madh.

Një nga fushat e bashkëpunimit është Koreja e Veriut, aleate e Kinës, të cilën Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta binin që të heqë dorë nga armët bërthamore.