Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo thotë se administrata e Presidentit Trump nuk po përpiqet për ndryshim regjimi në Iran, por për të arritur një konsensus global mbi mënyrat që do ta bindin Teheranin “të sillet si një vend normal”.
Zoti Pompeo tha sot para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë se administrata prej kohësh ka punuar për planet për të rivendosur sanksionet e mëparshme dhe për vendosjen e sanksioneve të reja kundër Iranit me synimin për t’i mohuar këtij vendi burimet financiare për të kryer vepra keqdashëse.
Dje, shefi i diplomacisë amerikane dëshmoi para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë se Shtetet e Bashkuara shpresojnë të takohen me vendet aleate, përfshirë zyrtarë të Bashkimit Evropian, në fillim apo në mes të qershorit për të diskutuar hapat e ardhshëm në përgjigje të programit të Teheranit për zhvillimin e armëve.