Tre operacionet ushtarake ku është përfshirë Franca: Afganistani, Libia dhe Bregu i Fildishtë janë tepër të ndryshme.
Përfshirja e Francës në Afganistan është vazhdim i angazhimit të qeverisë së mëparshme konservatore dhe brenda kuadrit të NATO-s.
Por vetëm kohët e fundit Franca mori mbi vete një rol të veçantë, duke ndihmuar në qetësimin e trazirave në Libi dhe në Bregun e Fildishtë, duke shprehur predispozicionin e hapur të presidentit Nicholas Sarcosy në përdorimin e forcës.
Në disa intervista që dha ditët e fundit, përfshi njërën në televizionin France 1, Ministri i Jashtëm Alan Juppe argumetoi se nuk ka ndryshime në politikën e jashtme franceze.
Zoti Juppe tha se si në Libi, edhe në Bregun e Fildishtë, Franca ka vepruar brenda kuadrit të ligjit ndërkombëtar, duke vepruar në përputhje me mandatet e OKB-së për të mbrojtur civilët. Ai tha se Franca nuk kishte patur synimin të kishte një politikë të jashtme më offensive.
Por analistët shohin të tjera motive në veprimet e Francës.
Në Libi, Parisi jo vetëm që filloi sulmin e parë ajror kundër forcave besnike të udhëheqësit libian Muamar Gadafi, por ajo po ashtu u bë vendi i parë që njohu zyrtarisht Këshillin Kombëtar Libian në Bengazi të krijuar nga forcat kryengritëse.
Në Bregun e Fildishtë, forcat franceze dhe trupat e OKB-së kryen sulme ndaj forcave të Presidentit Laurent Gbagbo.
Klara O’Donnell, studjuese në Qendrës Evropiane të Reformave me bazë në Londër, tha se roli i fuqishëm i Francës në Libi i çuditi të gjithë.
“Kjo thjesht për shkak të kthesës 180 gradëshe të Francës dhe veçanërisht të Presidentit Nicholas Sarcosy. Franca ka patur lidhje të ngushta me Libinë gjatë viteve të fundit dhe shohim tani kalimin nga një ekstrem në tjetrin.” - thotë ai
Kur është fjala për Bregun e Fildishtë, gazetari i njohur Venance Konan thotë se zoti Sarkozi mori vendimin e duhur kur ndërhyri në vendin e tij, për të parandaluar gjakderdhje të mëtejshme të popullsisë civile:
“Mos harroni që shumica në Bregun e Fildishtë votuan për Presidentin Alasan Utara, të njohur nga komuniteti ndërkombëtar dhe kjo pjesë e popullsisë do ta mbështesin zotin Sarkozi për përkrahjen që i ka dhënë në vendosjen e demokracisë.”
Çfarë e ka shtyrë të marrë këto vendime zotin Sarkozi?
Kur është fjala për Libinë, analisti Filip Moro Defarzh i Institutit francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare thotë se presidenti pjesërisht po i ndërmerr këto veprime si kompensim për mbështetjen fillimisht nga Franca të regjimit të mëparshëm në Tunizinë fqinje gjatë revoltës në këtë vend në muajin janar. Ai thotë:
"Franca ka të njëjtën dilemë që e kanë edhe Shtetet e Bashkuara, në njërën anë, kur je fuqi e madhe, e pranishme në rajon, dëshiron ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe kjo është një përparësi."
Por në fund të fundit, thotë zoti Defarzh, Franca dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin demokracinë. Ai po ashtu beson se ka edhe një arsye tjetër përse zoti Sarkozi ndoqi këtë herë një politikë të shprehjes së forcës.
"Franca dëshiron të ruajë statusin e një fuqije të madhe dhe të ruajë një politikë të jashtme specifike. Në një fare mase, ndoshta diplomatët francezë janë të kënaqur që Bashkimi Evropian ka qenë pasiv, duke treguar se Evropa ka nevojë të ketë në gjirin e saj fuqi të mëdha si Franca." - thotë zoti Defrazh
Studjuesja e Qendrës Evropiane të Reformave O’Donnell, është e të njëjtit mendim, se forca franceze është në kontrast të madh me reagimin e mefshtë të BE-së ndaj Libisë.
Ajo bën paralelizëm me konfliktin ballkanik një dekade më parë, kur Evropa nuk kishte një politikë të përbashkët të mbrojtjes.
Studjuesja thotë se përherë e më tepër, Franca, por edhe Britania, po ndjehen të zhgënjyera ndaj politikës evropiane të mbrojtjes.
Ajo mendon se të dyja këtyre vendeve, ndoshta do t’u duhet në të ardhmen të marrin vendime për ndërhyrje ushtarake, në disa raste të vetme, pa mbështetjen evropiane.