Pjesëtarë të komunitetit çam organizojnë sot një marshim në kujtim të disa qindra pjesëtarëve të këtij komuniteti që humbën jetën në vitin 1944 gjatë shpërnguljes nga shtëpitë e tyre që sot ndodhen në territorin e Greqisë.
Marrshimi organizohet nga Partia Bashkimi për Drejtësi, Unitet dhe Integrim dhe fillon në varrezat e fshatit Kllogjer në rrethin e Sarandës dhe përfundon në Pikën e Qafëbotës në kufi me Greqinë. Zyra e Partisë për Drejtësi dhe Integrim njoftoi sot se përfaqësuesi i një komune nga kjo Parti dhe disa gazetarë nuk u lejuan të hynin në Greqi nga kjo pikë kufitare.
Autoritet greke sipas burimeve të kësaj partie kanë deklaruar se bllokimi i hyrjes u është bërë për cënim të rendit në Greqi. Shqipëria dhe Greqia kanë qëndrime të ndryshme ndaj çështjes çame. Greqia thotë se nuk e njeh këtë problem dhe ka refuzuar bisedimet. Të dy vendet kanë firmosur ndërkaq një protokoll të miqësisë që angazhohet për zgjidhjen e pretendimeve pasurore.