Robert Bowers, kamionisti 46-vjeçar i akuzuar për vrasjen e 11 hebrejve në një sinagogë të Pitsburgut, doli të hënën për herë përpara gjykatës, ndërkohë që prokurori i përgjithshëm e quajti krimin "një sulm ndaj të gjithë besimtarëve pa dallim".
Bowers u soll para gjyqtarit të magjistraturës me një karrige me rrota, pak orë pasi e kishin nxjerrë nga një spital i Pitsburgut ku ishte operuar, pas ngjarjeve të shtunës në mëngjes, ku policia e plagosi dhe më pas e arrestoi.
Gjyqtari caktoi një seancë tjetër për të enjten, ku prokurori Scott Brady tha se ata do të fillojnë të paraqesin provat paraprake ndaj Bowers. Brady tha se rasti kundër Bowers do të paraqitet në një juri të madhe brenda 30 ditësh për një padi të mundshme, dhe se prokurorët po punojnë “për të garantuar drejtësinë.”
Autoritetet e kanë akuzuar Bowers se e kreu masakrën nga urrejtja për hebrenjtë, duke thirrur "Të gjithë hebrejtë duhet të vdesin" kur hapi zjarr ndërkohë që kishte publikuar më parë thirrje antisemite në internet.
Në një konferencë për lirinë fetare në Boston, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Jeff Sessions tha: "Ky nuk ishte vetëm një sulm ndaj besimit hebre, ishte një sulm ndaj të gjithë njerëzve të besimit, ishte një sulm ndaj vlerave amerikane që mbrojnë njerëzit e besimit prandaj nuk do të tolerohet. Është një kërcënim i drejtpërdrejtë për atë çka ne përfaqësojmë."
Bowers përballet me 29 akuza federale, duke përfshirë disa krime të urrejtjes, dhe mund të përballet me dënimin kapital nëse shpallet fajtor.
Presidenti Trump dhe bashkëshortja e tij Melania do të shkojnë të martën në Pitsburg të Pensilvanisë për t’u takuar me komunitetin hebre të atjeshëm.