Papa Françesku, foli sot përpara 200 mijë njerëzve të mbledhur për një meshë të hapur, në pjesën veriperëndimore të Perusë, e cila është rrënuar nga përmbytje të shumta.
Më herët, Papa Françesku ka dënuar fuqishëm korrupsionin në Amerikën Latine duke e quajtur atë një “virus social” që po infekton të gjitha aspektet e jetës. Gjatë vizitës të premten në Peru, Papa dënoi shkatërrimin e lumit Amazon.
“Për të mbrojtur shpresën, kërkohet që të jemi shumë të vëmendshëm ndaj formës shpesh delikate të degradimit përreth, i cili ndot gradualisht të gjithë kornizën jetike, dhe ky është korrupsioni. Sa shumë e keqe i është bërë popullit latino-amerikan dhe demokracive të këtij kontinenti të bekuar nga ky virus i shoqërisë. Një fenomen që infekton gjithçka, që dëmton më së shumti të varfërit dhe tokën mëmë. Gjithçka që bëhet për të luftuar këtë goditje sociale meriton vëmendjen tonë më të madhe” , tha ai.
Presidenti i Perusë dhe disa udhëheqës të lartë politikë janë të përfshirë në skandalin më të madh të mitmarrjes në rajon.
Fjalimi i Papës vjen më pak se një muaj pasi Presidenti Kuczynski shmangi hapjen e procesit të shkarkimit lidhur me pagesat prej 782 mijë dollarësh që shkuan tek firma kosulente e presidentit nga kompania gjigande braziliane e ndërtimeve, Odebrech. Pagesat ishin kryer rreth 10 vjet më pare kur zoti Kuczynski mbante postin e një ministri. Kompania braziliane ka pranuar se ka paguar qindra milionë dollarë në ryshfete për zyrtarët në Amerikën Latine në shkëmbim të kontratave fitimprurëse në sektorin publik.