Nënpresidenti amerikane Mike Pence premtoi mbështetje të palëkundur për popullin e Iranit. Në një intervistë me Zërin e Amerikës të mërkurën, zoti Pence kritikoi administratën e kaluar, pasi siç tha ai, kishte bërë shumë pak për të mbështetur iranianët që dolën në protesta kundër zgjedhjeve të debatueshme të vitit 2009. Vëzhguesit thonë se trazirat aktuale janë rezultat i pakënaqësive të akumuluara ndaj regjimit shtypës të vendit dhe janë sinjal i rënies së tij.
Qeveria iraniane ka dislokuar policinë dhe forcat e sigurisë në qytete në gjithë vendet në një përpjekje për të shtypur trazirat që kanë shkaktuar vdekjen e mbi 20 vetëve. Qeveria ka thënë se protestat janë nxitur nga ndikimi i huaj, por vëzhguesit thonë se është e qartë që kjo nuk është e vërtetë.
"Njerëzit nëpër rrugë nuk janë të huaj, nuk janë mercenarë. Janë iranianë të zakonshëm”, thotë profesor Hooshang Ahmirahmadi i Universitetit Rutgers.
Iranianët po protestojnë kundër korrupsionit zyrtar dhe viteve të keqmenaxhimit ekonomik, që kanë rezultuar në papunësi të lartë dhe rënie të standardit të jetesës. Analistët thonë se përdorimi i forcës mund t’i frenojë protestuesit për një farë kohe, por regjimi klerik nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë si më parë.
"Gjendja ka ndryshuar. Është hera e parë prej 40 vjetësh që populli iranian po përballet me regjimin në tërësi. Në vitin 2009, beteja ishte brenda regjimit, mes dy fraksioneve. Këtë radhë është ndryshe. Është populli kundër regjimit. Dhe regjimi duhet të mendojë seriozisht se si do të veprojë”, thotë profesor Ahmirahmadi.
Nënpresidenti amerikan Mike Pence tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se populli i Iranit, ka mbështetjen e plotë të qeverisë aktuale amerikane.
"Shpresoj dhe lutem që populli i Iranit, një populate e re, e arsimuar, ta kuptojë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, populli amerikan, është aleati i tyre i natyrshëm. Ne duam që ata të kenë një të ardhme të lirë dhe demokratike”.
Zoti Pence kritikoi administratën e kaluar që ai tha se nuk kishte shprehur mbështetje po aq të fortë për iranianët kur ata protestuan ndaj rezultatit të debatueshëm të gjedhjeve të vitit 2009. Ai kritikoi gjithashtu administratën e ish-presidentit Obama për marrëveshjen bërthamore me Teheranin.
"E vërteta është se marrëveshja bërthamore me Iranin ishte e gabuar sepse pjesërisht jo vetëm nuk ia hiqte të drejtën Iranit të zhvillonte një program bërthamor, por duke qenë se afati i saj është 10 vjet, praktikisht garanton se ata do të zhvillojnë një armë bërthamore pas kësaj periudhe 10 vjeçare”.
Nënpresidenti Pence tha se sanskionet ekonomike kundër Teheranit kanë qenë të suksesshme dhe se marrëveshja ndihmon qeverinë iraniane. Ai tha se administrata e Presidentit Trump do që të shtojë një klauzolë në marrëveshje që të lejojë kthimin e sanksioneve nëse Irani përpiqet të sigurojë një armë bërthamore.