Partia Demokratike mbledh Këshillin Kombëtar për dialogun me opozitën

Partia Demokratike mbledh Këshillin Kombëtar për dialogun me opozitën

Partia Demokratike pritet të zhvillojë sot mbledhjen e Këshillit të saj Kombëtar, takimi i parë i forumit të lartë drejtues të maxhorancës pas zgjedhjeve për pushtetin vendor të 8 majit. Partia kryesore e koalicionit qeveritar ka njoftuar se do të analizojë ecurinë e fushatës zgjedhore, funksionimin e aleancave me partitë më të vogla dhe rezultatet e zgjedhjeve vendore.

Një temë tjetër e diskutimeve në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike mendohet se do të jenë edhe marrëdhëniet me opozitën socialiste dhe rrugëzgjidhjet për nisjen e bisedimeve për reformën zgjedhore konsensuale. Kryetari i Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha ftoi Partinë Socialiste që të ulen në tryezën e bisedimeve për të përmbushur rekomandimet e OSBE-së për reformën zgjedhore, dhe se nuk i kishte humbur ende shpresat, megjithë refuzimet e përsëritura të opozitës.

“Disa reforma u bllokuan sepse kryetari Partisë Socialiste, Edi Rama vendosi që ta përdorte pushtetin e marrë nga votat e qytetarëve, jo për të punuar së bashku por për të frenuar punën. Por ftesa jonë për bashkëpunim është e hapur dhe e ndershme” - tha ai para deputetëve.

Partia Socialiste sapo ka depozituar dy padi të tjera në organet e drejtësisë për shkelje ligjore në zgjedhjet e 8 majit. Edi Rama, kryetar i kësaj partie, ka thënë se dialogu me PD-në mund të nisë vetëm pasi të pranohet se në rezultatet e 8 majit pati manipulime. Ai tha se opozita po përgatit një paketë me ndryshime kushtetuese, dhe se do ta ndërpresë bojkotin e parlamentit në shtator.

“Ne nuk bëjmë asnjë lloj dialogu për të arnuar një ligj këtu apo një ligj atje. Bëhet fjalë për një proces, i cili duhet të jetë serioz dhe i denjë për një vend që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, i garantuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe me fokus ringritjen e shtetit të së drejtës” - tha zoti Rama pëtr mediat.

Diplomatët amerikanë, europianë dhe drejtues të OSBE-së u kanë bërë thirrje partive që të nisin dialogun dhe reformat me mirëkuptim, si rruga më e mirë për të ardhmen e Shqipërisë.

“Emri i lojës tani është “dialog” - thotë ambasadori i OSBE-së Eugen Volfart, dhe diplomacia perëndimore është e gatshme që të ndihmojë nisjen e dialogut. Sipas tij, zhvillimi i zgjedhjeve vendore nxori në pah nevojën që palët duhet të diskutojnë për reformën zgjedhore dhe të përmbushin bashkarisht rekomandimet e Bashkimit Europian, për të cilat do të ketë një raport për Shqipërinë në vjeshtë, afërsisht në kohën kur edhe opozita do t’i japë fund bojkotit të parlamentit.