Parlamenti shqiptar ngre një komision hetimor për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit

Parlamenti shqiptar ngre një komision hetimor për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit

Parlamenti shqiptar zhvilloi në mbrëmje një seancë të jashtëzakonshme ku u miratua ngritja e një komisioni hetimor për ngjarjet e dhunshme të ditës së premte. Në seancë morën pjesë vetëm deputetë të shumicës, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Komisioni hetimor sipas vendimit të miratuar, do të ketë 11 antarë, dhe do të shqyrtojë rrethanat që sollën ngjarjet e dhunshme para selisë së kryeministrisë, ku humbën jetën 3 qytetarë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, protestues dhe policë.

Kryeministri Sali Berisha, tha në këtë seancë se drejtuesit kryesorë të Partisë Socialiste të opozitës organizuan dhe zbatuan një skenar për grusht shteti për të marrë në kontroll selinë e qeverisë me grupe kriminelësh të paguar. Zoti Berisha tha se komisioni parlamentar duhet të hetojë edhe veprimtarinë e institucioneve të tjera shtetërore para dhe gjatë protestës së dhunshme. Ai e quajti të papranueshme vendimin e prokurorisë së përgjithshme për të arrestuar gjithë drejtuesit e Gardës Kombëtare, të cilët përkundrazi, sakrifikuan së bashku me forcat e rendit publik për të mbrojtur institucionet demokratike. Zoti Berisha tha se kryeprokurorja Ina Rama urdhëroi arrestimin e udhëheqësve të Gardës pa asnjë hetim paraprak dhe pa asnjë fakt, duke shprehur dyshimet se ky ishte mesazhi më i keq që mund t’u jepet njerezve të botës së krimit. Sipas tij, drejtuesit e Gardës kanë shprehur gadishmërinë për cdo hetim dhe cdo bashkëpunim që kërkohet nga prokuroria, ndërkohë që janë në krye të detyrës shtetërore.

Para seancës së parlamentit, qeveria zhvilloi po ashtu një mbledhje të jashtëzakonshme, ku u analizua situata e krijuar me rendin publik dhe marrëdhëniet me opozitën. Qeveria e zhvilloi mbledhjen pasi kryeministri Berisha zhvilloi një seri takimesh me ambasadorë të vendeve antare të NATO-s dhe Bashkimit Europian për të diskutuar zhvillimet e fundit.

Kryetari i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama, mori dje pjesë në ceremonitë mortore të dy viktimave të protestës në Fier e në Gjirokastër, duke bërë përgjegjëse për vrasjen e tyre policinë dhe Gardën Kombëtare. Zoti Rama tha në një takim me shtypin në mbrëmje vonë se demonstruesit ishin paqësorë dhe përgënjeshtroi akuzat e kryeministrit se opozita zbatoi një skenar për grusht shteti. Ai tha se pas një jave, të premten tjetër, përkrahësit e opozitës do të zhvillojnë një tjetër tubim proteste.

Qeveria dhe opozita kanë nisur qysh nga e premtja një seri konferencash ku akuzojnë njëra-tjetrën për ngjarjet, ndërsa prokuroria ka ngritur një grup hetimor që po merr në pyetje dëshmitarët dhe të plagosurit, si dhe po shqyrton dokumenta dhe kaseta filmike, për të ndriçuar të vërtetën mbi shpërthmin e dhunën disaorëshe mesditën e të premtes gjatë tubimit të organizuar nga Partia Socialiste. Sipas statistikave të pjesshme nga spitalet, krahas 3 të vdekurve, gjatë protestës janë plagosur 45 qytetarë, 81 gardistë, 27 policë.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, dhe ambasadorët e SHBA, BE, dhe britanisë së Madhe bënë thirrje për rikthimin e dialogut politik mes forcave politike dhe të ndalet dhuna e mëtejshme. Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, tha në një konferencë se ngjarjet e te premtes në Shqipëri shënojnë një kthim prapa për vendin. Ambasadori Arvizu bëri thirrje që të shmangen protesta të ngjashme në të ardhmen. Ai tha se nga këto ngjarje nuk pati fitimtarë, por vetëm të humbur. Sipas tij, dhuna gjatë protestës duhej shmangur, por e drejta për t’u tubuar lirisht vjen bashkë me përgjegjësinë për të bërë gjithçka që tubimet të jenë paqësore.