Me 81 vota për, 13 kundër dhe një të paanshme, Parlamenti i Kosovës, miratoi sot një Rezolutë në mbështetje të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Nëpërmjet kësaj Rezolute e cila ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Parlamenti zotohet se do t'i përmbushë të gjitha detyrimet që kërkohen për përmbylljen e këtij procesi.
Të hënën e kaluar Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, paralajmëroi fillimin e përgatitjeve për përfundimin pavarësisë së mbikëqyrur deri në fund të vitit 2012. Por, kusht për këtë është përmbushja e detyrimeve që dalin nga plani i krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi duke u bërë thirrje deputetëve për miratimin e Rezolutës, tha se ajo i hap derën përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë he dëshmon pjekurinë e shoqërisë së Kosovës.
“Kjo nuk është meritë e vetëm një qeverie, partie apo e një mandati. Kjo është merita e shtetit tonë, e demokracisë sonë, e reformave demokratike, është merita e të gjithë qytetarëve tanë, është merita juaj, të nderuar deputetë. Ky është zotimi ynë për Kosovën e re, Kosovën Evropiane. Të gjithë ne sot po fillojmë një fazë të re për Kosovën”, tha kryeministri Thaci.
Rezoluta është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila paraqiti një kundër rezolutë që nuk u morr parasysh nga Parlamenti. Përfaqësuesi i kësaj lëvizjeje Visar Ymeri, tha se Rezoluta është një përpjkeje e qeverisë së Kryeministrit Thaçi për të mbuluar koncesionet në negociatat me Serbinë.
“Kohëve të fundit janë shtuar zërat për një zgjidhje politike për veriun e vendit. Madje është deklaruar qartë se procesi i përmbylljes së mbikëqyrjes është i lidhur ngushtë me veriun e Kosovës. Për më tepër kjo përmbyllje është e lidhur ngushtë edhe me procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë që po ndodh në Bruksel. Konsensusi në të cilin po insistohet këto ditë, dhe me këtë rezolutë, është konsensus për këto dy çështje. Natyrisht se kjo do të kamuflohet me përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, me një gjë të cilën askush nuk e kundërshton. Konsensusi nuk kërkohet të formalizohet për diçka që tashmë ekziston, për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, por që të arrihet për diçka që deri tash nuk ka ekzistuar për statusin e veçantë për pjesën veriore të Kosovës dhe pranimin e marrëveshjeve të deritashme të Qeverisë së Republikës së Kosovës me atë të Serbisë”, tha zoti Ymeri.
Pieter Faith, mbështetë miratimin e Rezolutës
Miratimin e Rezolutës e mbështeti menjëherë përfaqësuesi civil ndërkombëtar Pieter Faith, i cili nëpërmjet një komunikate thekson se dokumenti ndihmon në përcaktimin e hapave të mëtejmë për të arritur këtë synim kombëtar, përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ai vë theksin në thirrjen për bashkim të forcave politike në këtë proces duke nënvizuar që nëse konsensusi kombëtar ruhet gjatë gjithë kësaj kohe, kjo do të dërgonte një mesazh të fuqishëm për qëndrueshmërinë e reformave dhe zbatimin e tyre, dhe rrjedhimisht do ta forconte imazhin e Kosovës si një shtet modern evropian.
Kosova shpalli pavarësinë ne shkurt të vitit 2008 ndërsa një numër shtetesh që e kanë njohur atë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian themeluan grupin drejtues ndërkombëtarë për Kosovën dhe vunë Pieter Faith në postin e mbikëqyrësit të pavarësisë e cila vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Serbia
Presidentja Jahjaga mbështetet përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë
Presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, nëpërmjet një deklarate për opinion ka theksuar se përmbyllja e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë shënon një sukses të përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare, të institucioneve të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, që me kontributin e tyre vendosën themelet e shtetit sovran, të pavarur dhe demokratik.
“Republika e Kosovës - shtet sovran dhe i pavarur në tërësinë e saj territoriale dhe me subjektivitet të garantuar ndërkombëtar - është realitet i pamohueshëm dhe pavarësia e saj është proces i pakthyeshëm”, thuhet në deklaratë, në të cilën nënvizohet se periudhën deri në përmbyllje të misionit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare do ta shfrytëzojnë për ndërtimin e një qasjeje të përbashkët, për konkretizimin e përgjegjësive dhe përcaktimin e bartësve të proceseve në mënyrë që kjo fazë e tranzicionit të zhvillohet dhe të përfundojë me sukses.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që në bashkëpunim të ngushtë dhe partneritet me praninë ndërkombëtare në Kosovë të vendosin kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë integrimin e tri komunave në veri të vendit si dhe për ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme demokratike. Republika e Kosovës garanton zbatimin dhe përmbushjen e të gjitha obligimeve dhe detyrimeve ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.