Parlamenti i Kosovës debaton me tone të ashpra buxhetin e vitit 2011

Parlamenti i Kosovës debaton me tone të ashpra buxhetin e vitit 2011

Parlamenti i Kosovës hodhi sot në debat buxhetin e vitit 2011, më një vonesë disa muajshe për shkak të krizës institucionale. Debati, që pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve të ardhshme u përshkua me tone të ashpra ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Mospajtimet ishin më të thella rreth çështjes se mbulimit të dallimit ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve të projektuara në buxhetin e hartuar nga qeveria e vendit.

http://www.youtube.com/embed/Ll9BqqjFynk

Kosova këtë vit do të ketë të hyra prej 1 miliard e 264 milionë euro, ndërsa shpenzimet pritet të jenë 1 miliard e 434 milionë eurosh. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se buxheti mbështetet në përparësitë e qeverisë së tij për rritjen ekonomike dhe mirëqenien sociale.

Kriza institucionale dhe zgjedhjet e zvarritura kushtëzuan edhe vonesat në miratimin e buxhetit dhe deri tash vendi ka funksionuar duke shfrytëzuar një të dymbëdhjetën e buxhetit paraprak.

Opozita është shprehur e rezervuar ndaj këtij projektbuxheti, i cili përshinë edhe vendimin e qeverisë për rritjen e pagave të punonjësve të sektorit publik nga 30 deri në 50 për qind. Opozita thotë se buxheti nuk pasqyron nevojat e Kosovës dhe rrezikon të fusë vendin në një krizë të mundshme, ndërsa çështje më e ndjeshme vlerësohet fakti se buxheti nuk pasqyron marrëveshjet me Fondin Monetar Ndërkombëtarë, i cili nuk është pajtuar me rritjen e pagave në shkallën e paralajmëruar nga qeveria.

Kryeministri Thaçi tha se debatet me Fondin Monetar do të vazhdojnë dhe kjo çështje nuk do të dëmtojë marrëdhëniet e Kosovës me këtë fond.

Debatet më të nxehta u zhvilluan rreth nenit katër të projektligjit për buxhetin, ku është përfshirë edhe miratimi i vendimit për privatizimin e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, me çka qeveria synon të plotësojë deficitin buxhetor.

Qeveria ka paralajmëruar se do të riformulojë këtë pjesë të projektligjit, që është kundërshtuar ashpër nga opozita e cila nuk pajtohet me shitjen e Postës dhe Telekomunikacionit.

Mospajtimet rreth këtij privatizimi në vjeshtën e kaluar, ishin një nga shkaqet që çuan në krizën institucionale në vend.