Parlamenti i Kosovës nuk miratoi sot kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për ndërprerjen e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo kërkesë u shtrua në seancën e sotme të parlamentit ku ishte ftuar në interpelancë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, pikërisht për çështjen e bisedimeve. Lëvizja Vetëvendosje i cilësoi bisedimet të dëmshme për Kosovën, e cila sipas udhëheqësit të kësaj lëvizjeje Albin Kurti duke biseduar për çështje të brendshme, të cilësuara si çështje teknike, në fakt po diskuton për pavarësinë. Sipas tij, secila temë e diskutuar në fakt ka të bëjë me statusin e Kosovës.
Kryeministri Thaçi, ndërkaq tha se bisedimet me Serbinë janë një detyrim ndërkombëtar, që buron nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pas miratimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ai tha se Qeveria e Kosovës ka vënë vijat e kuqe për çështje që nuk mund të jenë pjesë e bisedimeve teknike e të cilat përfshijnë statusin e Kosovës, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës.
Parlamenti ndërkaq miratoi me shumicë votash dy kërkesa të tjera të lëvizjes Vetëvendosje me të cilët i bëhet thirrje qeverisë që të ndërmarrë hapa konkretë për të shtrirë autoritetin e shtetit të Kosovës në të gjithë territorin e saj, veçanërisht në Veri dhe që ajo të informojë rregullisht, çdo tre muaj Parlamentin e Kosovës për përpjekjet e saj për të vendosur kontroll në tërë Kosovën.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë do të takohen sërish më 17 dhe 18 maj në Bruksel në raundin e katërt të bisedimeve, të cilat siç thuhet, do të përfshijnë çështjen e personave të zhdukur, të trashëgimisë kulturore dhe njohjes së diplomave shkollore dhe universitare. Në takimin e radhës, ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian Robert Cooper pritet t’u paraqes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit një kuadër të një marrëveshjeje që ka të bëjë me telekomunikacionin, energjinë dhe lëvizjen e lirë, tema këto që janë shtruar tashmë në bisedime ndërmjet të dyja palëve.
Në prag të këtyre bisedimeve, shefi delegacionit të Serbisë, Borko Stefanovic ka paralajmëruar se do të qëndrojë në Kosovë për të diskutuar edhe me përfaqësuesit e institucioneve të Prishtinës për rrjedhë e bisedimeve. Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi tha se qeveria e Kosovës nuk do të pengojë këtë vizitë. Edhe kjo çështje nxitit sot shumë debate ndërmjet qeverisë dhe opozitës e cila shfaqi shqetësimin se kjo do të mund të çonte në përpjekje për zhvendosjen e bisedimeve nga ato të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian në takime të drejtpërdrejta që do të ishin të dëmshme për Kosovën.
Opozita thotë se bisedimet janë në favor të Serbisë dhe Kosova nuk do të ketë asnjë përfitim prej tyre në këtë periudhë kur Beogradi refuzon të njoh pavarësinë e Kosovës dhe kontrollon një pjesë të territorit të saj me strukturat paralele. Por, udhëheqësit e qeverisë besojnë se fundi i bisedimeve do të shënojë edhe një hap drejt forcimit të paqes në rajon.