Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar dje gjatë një seance tre nënkryetarët e rinj. Dy prej tyre do të jenë nga shumica parlamentare dhe një i opozitës. Suzana Saliu e Bashkimit Demokratik për Integrim, Svetllana Jakimovska e VMRO-së dhe Jani Makraduli i Lidhjes Social Demokrate morën votat e nevojshme për të ushtruar postet e nënkryetarëve të këtij institucioni ligjvënës. Kjo është hera e parë që institucioni ligjvënës i Maqedonisë ka zgjedhur dy gra për nënkryetare, ndërsa zonja Saliu është nënkryetarja e parë shqiptare. Miratimit i parapriu një debat me akuza nga Partia Demokratike Shqiptare e cila vërejti se BDI-ja nuk mbajti premtimin që kryetari i parlamentit të ishte shqiptar. Ndërkohë, zyrtarë të partisë shqiptare në pushtet thanë se nuk ka pasur premtime të tilla publike, por vetëm spekulime të mjeteve të informimit.