Parlamenti i Kosovës debaton rreth procesit gjyqësor të Albin Kurtit

Parlamenti i Kosovës debatoi sot për disa orë rreth procesit gjyqësor ndaj udhëheqësit të lëvizjes vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ky që pritet të vazhdojë më 13 prill. Zoti Kurti akuzohet për pjesëmarrje në një turmë njerëzish që kanë kryer vepër penale; pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare dhe për thirrje për rezistencë.

Të gjitha akuzat lidhen me ngjarjet e 10 shkurtit të vitit 2007 kur dy persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë një protestë të lëvizjes Vetëvendosje.

Procesi gjyqësor kundër zotit Kurti ishte nisur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara dhe u riaktivizua nga një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë në Kosovë.

Procesi u shty disa herë meqë zoti Kurti nuk ka pranuar të paraqitet në gjyq duke e cilësuar atë një proces të montuar politik. Të tillë e vlerësuan këtë proces edhe një pjesë e deputetëve të Parlamentit të Kosovës, ndërsa një pjesë e tyre ishte kundër debatit për këtë çështje duke e vlerësuar atë si ndërhyrje në drejtësi.

Debati u shndërrua në diskutim për gjendjen në sistemin e drejtësisë në Kosovë, që vazhdon të kritikohet qoftë nga organizatat ndërkombëtare, ashtu edhe ato vendase.