Vizitori i parqeve kombëtare, Mikah Meyer, e mbylli udhëtimin e tij në Teksasin perëndimor me një vizitë në parkun kombëtar të Big Bendit... një peizazh i pafund, i njohur për bukurinë e shkretëtirës së tij dhe lumin Rio Grande, i cili formon një pjesë të vijës kufitare midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Mikah Meyer është në një mision për të vizituar të 411 parqet kombëtare amerikane dhe Big Bendi ishte ndalesa e tij e radhës.
Your browser doesn’t support HTML5
Vizitori i parqeve kombëtare, Mikah Meyer, vizitoi parkun kombëtar të Big Bendit në Teksasin jugperëndimor dhe mbeti i mahnitur nga bukuria e tij.
“Ky vend është bërë edhe më magjik me kalimin e kohës”, thotë Mikah.
Ky peizazh magjik shtrihet në më shumë se 324,000 hektarë dhe varion nga hapësirë e thatë, shkretinore në male me temperatura të freskëta. Këtu përfshihet edhe një segment i lumit Rio Grande që formon kufirin natyror prej 1600 kilometrash midis Meksikës dhe Teksasit.
Në këtë park të larmishëm jetojnë një sërë bimësh dhe kafshësh.
Mikah shijoi nga afër disa prej këtyre mrekullive në shtegun natyral që shtrihet përgjatë lumit Rio Grande.
Pas hiking-ut, Mikah u zhyt në ujërat termale të parkut, të cilat mendohet se kanë fuqi shëruese.
Në ditën e dytë të udhëtimit, Mikah kaloi në anën tjetër të lumit Rio Grande, pjesë e Meksikës.
Mikah: “Po i afrohem mesit të lumit dhe nuk më ka ardhur uji as deri te gjunjtë... Dolëm me sukses në anën tjetër të lumit, kaluam nga Shtetet e Bashkuara në Meksikë.”
Mikah shkoi në qytet me kalë.
Mikah: "Pasi hyjnë në qytetin Boquillas, vizitorët duhet të kalojnë në doganën meksikane.”
Pasi e bëri këtë, Mikah ndaloi për të drekuar.
Mikah: “Po ja nis me tre tako vegjetariane dhe tortija me misër.”
Pasi u kthye sërish në Shtetet e Bashkuara përmes lumit, Mikah u drejtua për në Malet Chisos.
I gjithë vargmali Chisos, përfshirë edhe një pjesë të shkretëtirës Chihuahuan bëjnë pjesë në parkun kombëtar Big Bend në jugperëndim të Teksasit.
“Ishte ajër i thatë dhe syzet më visheshin me avuj. Kisha krem për t’u mbrojtur nga dielli, po djersija i gjithi dhe po më kullonin hundët, sepse atje lart ishte ftohtë… Isha keq, por ishte aq bukur saqë i dhashë forcë vetes për të vazhduar", tregon Mikah.
Ai u ngjit deri në Majën Emory, pika më e lartë e parkut kombëtar të Big Bendit.
Ditën e tretë, Mikah ishte gati për kanotazh.
Rrugëtimi niste nga kanioni i Shën Helenës dhe vazhdonte në lumin Rio Grande…
Në disa vende uji ishte kaq i cekët, saqë kanoet duheshin tërhequr.
"Një nga guidat po tërheq dy kanoe bashkë, për t’i ndihmuar njerëzit ta kalojnë këtë pjesë të cekët sa më shpejt. Nuk ishte si raftingu energjik që mund të mendohej”, përshkruan Mikah.
Ditën e tij të katërt dhe të fundit në park, Mikah-s, i cili është në mision për të vizituar mbi 400 parqe kombëtare amerikane, iu desh të udhëtonte në zona të largëta dhe me rrugë të këqija te Big Bendit.
“Në fund të udhëtimit isha i sfilitur dhe isha bërë shumë pis, por edhe i lumtur për këtë përvojë, pasi pashë vende të këtij parku që kurrë s’e kisha menduar se mund t’i shikoja ndonjëherë", thotë Mikah.
Pas vizitës në parkun kombëtar të Big Bendit, Mikah thotë se ky vend është tashmë një ndër të preferuarit e tij.
((Julie Taboh, VOANews, Washington))