Mathew Palmer, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor i tha Zërit të Amerikës se administrata amerikane mbetet e angazhuar në Ballkan. Në një intervistë me korrespondenten e VOA pranë Departamentit amerikan të Shtetit Nike Ching, ai foli mbi përparësitë në detyrën e re si i dërguar i posaçëm, si dhe mbi pritshmëritë e SHBA për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëri i Amerikës: Cilat janë përparësitë politike në rolin tuaj të ri, duke pasur parasysh se ky është një pozicion i ri, i krijuar nën administratën e tanishme. A ka një rritje të interesit dhe angazhimit amerikan ndaj Ballkanit?
Matthew Palmer: Sigurisht, mendoj se vendimi i Sekretarit të Shtetit për të emëruar një përfaqësues të veçantë për Ballkanin Perëndimor tregon qartë dhe në mënyrë konkrete, angazhimin tonë për rajonin, angazhimin tonë për të qenë partner për rajonin dhe ambicien tonë për të ndihmuar rajonin, të zhvendoset më pranë bashkësisë perëndimore të kombeve. Prandaj, unë e shoh rolin tim si diçka që në fakt më mundëson të ndihmoj vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin aspiratat e tyre për integrim evropian dhe euro-atlantik. Ne kemi shpresë se kjo fillon me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke u dhënë mundësinë për të hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu dëshirojmë të shohim Serbinë dhe Kosovën, të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Dhe, natyrisht, do të donim po ashtu që Bosnja dhe Hercegovina të vazhdojë procesin e reformës dhe të afrohet më shumë në rrugën e saj evropiane dhe euro-atlantike. Është një axhendë e madhe, ka shumë punë për të bërë, por unë jam i përkushtuar të qëndroj në partneritet të ngushtë me rajonin dhe t'i ndihmoj ato vende të ecin përpara.
Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, nxitja e Kosovës dhe Serbisë për të rifilluar bisedimet është një nga përparësitë. Në ç’mënyrë?
Matthew Palmer: Mendoj se gjëja e parë që duhet të bëjmë është të presim derisa Kosova të zhvillojë zgjedhjet më 6 tetor. Pastaj do të ketë një proces të formimit të qeverisë. Ne do ta bëjmë të qartë pritshmërinë tonë se qeveria e ardhshme e Kosovës do të jetë një qeveri pro dialogut, e gatshme të pezullojë tarifat të cilat janë pengesë për rifillimin e procesit të dialogut, e gatshme të formojë një ekip negociator të fuqizuar si dhe e gatshme të angazhohet me Serbinë në tryezën e bisedimeve me seriozitetin e qëllimit për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara do të jenë me ta së bashku në çdo hap të këtij procesi, por Kosova duhet të marrë kontrollin e fateve të veta.
Zëri i Amerikës: Cila është pritshmëria juaj për zgjedhjet e 6 tetorit?
Matthew Palmer: Kjo varet në të vërtetë nga populli i Kosovës, por çfarëdo partie politike të dalë në krye, të jetë në gjendje të provojë për të formuar një koalicion, shpresojmë që ajo parti të lëvizë shpejt drejt formimit të qeverisë dhe drejt krijimit të një koalicioni të përkushtuar për të rihapur procesin e dialogut në mënyrë serioze.
Zëri i Amerikës: Siç e përmendët, pika më e vështirë duket se është, së pari tarifat e Kosovës ndaj importeve serbe dhe së dyti fushata diplomatike e Serbisë për të bllokuar njohjet e Kosovës. Ç’farë do të bënte SHBA? Cilat janë zgjidhjet e mundshme?
Matthew Palmer: Ajo që ne do të dëshironim të shohim është që qeveria e ardhshme e Kosovës të pranojë se përparësia e saj është një marrëveshje normalizimi me Serbinë dhe që pezullimi i tarifave është pjesë e kësaj. Ne kemi shpresë që Serbia do të përgjigjej pas kësaj me disa stimuj nga ana e saj dhe që kjo të përfshinte pezullimin e mundshëm të fushatës për bllokimin e njohjeve. Dhe me këtë si bazë, pra me pezullimin e tarifave dhe fundin e fushatës për bllokimin e njohjeve, palët mund të kthehen në tryezën e bisedimeve në një atmosferë pozitive me vështrimin drejt arritjes së një marrëveshjeje.
Zëri i Amerikës: A do t’i rigjallëroni përpjekjet tuaja për t’i nxitur palët, siç është letra e përbashkët nga ju dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, për t'i kërkuar Kosovës që të heqë tarifën prej 100 për qind, tani që në Shtëpinë e Bardhë do të jetë Këshilltari i ri i Sigurisë Kombëtare Robert O'Brien?
Matthew Palmer: Kur flas në emër të qeverisë amerikane, nuk flas thjesht në emër të Departamentit të Shtetit. Si Përfaqësues Special do të paraqes pozicionet e Shteteve të Bashkuara që përfshin Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes. Ne flasim si qeveri amerikane me një zë të vetëm koherent dhe me një politikë të vetme. Kështu që, kur shkoj në Kosovë dhe takohem me zyrtarë të Kosovës, unë flas në emër të Shteteve të Bashkuara. Kjo presupozon se e gjithë qeveria amerikane qëndron prapa çdo gjëje që unë them.
Zëri i Amerikës: Nëse ngërçi vazhdon, a do të ketë kjo ndikim negativ në mbështetjen e SHBA për të ndihmuar integrimin e Kosovës dhe Serbisë në bashkësinë perëndimore?
Matthew Palmer: Ne mbetemi të përkushtuar për këtë, kjo është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Ne jemi të përgatitur të punojmë në partneritet me Beogradin, në partneritet me Prishtinën, në partneritet me autoritetet serbe, në partneritet me autoritetet në Kosovë për arritjen e këtij qëllimi dhe objektivi. Ne nuk mund ta bëjmë këtë vetë. Janë vetë palët që duhet ta udhëheqin këtë përpjekje. Ne duam një zgjidhje që të jetë në pronësi lokale, që të jetë e qëndrueshme, që të jetë e pranueshme tek të dyja palët. Një zgjidhje të cilën Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët në bashkësinë ndërkombëtare të mund ta mbështesin. Ne jemi partnerë për ta në këtë proces, por janë ata që duhet të jenë në timon.
Zëri i Amerikës: Do të doja ta zhvendosja intervistën te Kina, pasi Kina po zgjeron nismën e saj Një Brez një Rrugë. Disa analistë thonë se investimet kineze në Ballkanin Perëndimor po marrin vrull. A është kjo diçka negative për ju kur ju flisni mbi përparësitë e politikës amerikane? Cili është ndikimi i kësaj në marrëdhëniet e SHBA me rajonin?
Matthew Palmer: Po. Ne e kuptojmë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë të prirur të gjejnë marrëveshjet më të mira të mundshme për veten e tyre dhe publikun e tyre, kur përpiqen për projekte të mëdha infrastrukturore. Kjo është normale. Ajo që ne bëjmë është të përpiqemi të sigurojmë që loja të jetë e barabartë për të gjithë. Pra, që kompanitë amerikane, ndërmarrjet perëndimore të jenë në gjendje të konkurrojnë në mënyrë të drejtë për këto mundësi, kur ato shfaqen. Dhe ne po i inkurajojmë qeveritë në Ballkanin Perëndimor të shqyrtojnë në mënyrë të gjerë, nëse disa nga këto marrëveshje me Kinën janë vërtet në interesin e tyre. Dua të them që kemi parë në raste të tjera që lidhen me nismën Një Brez, Një Rrugë një lloj qasjeje grabitqare që i fut vendet në borxhe përmes këtyre programeve, ku shifrat që ofron Kina mund të duken shumë tërheqëse për qeverinë në fjalë, por kostot e mirëmbajtjes, mungesa e krijimit të vendeve të punës që kinezët sjellin bashkë me projektet, dhe më e rëndësishmja, ngarkesa e borxhit që ndikon në aftësinë e këtyre vendeve për të mirëmbajtur të mirat kapitale që ato marrin, në fakt krijojnë kosto afatgjata dhe pasoja që ato nuk i kanë menduar me aq kujdes. Pra, ekzistojnë konsiderata të sigurisë, ekzistojnë konsiderata financiare dhe çështje të marrëdhënies më të gjerë që këto vende do të donin të krijonin me korporata shumëkombëshe, të cilat duhet të faktorizohen në këto vendimmarrje.
Zëri i Amerikës: Sekretari i Shtetit Mike Pompeo shpesh i ka paralajmëruar aleatët në lidhje me rrezikun e përdorimit të firmës kineze HuaWei për rrjetet 5G. Ndërkohë Serbia po intensifikon bashkëpunimin e saj me Huawei-n. Si ua shpjegoni vendeve të tilla si Serbia, të cilat mund t’i shohin si më tërheqëse pajisjet apo paketat financiare kineze?
Matthew Palmer: Ajo që ne u kërkojmë njerëzve të bëjnë është të marrin në konsideratë tërësinë e çështjes. Sigurisht, diçka si infrastruktura e telekomit është çështje e sigurisë kombëtare, po aq sa është një investim financiar nga ana e qeverive në fjalë. Por, a duan ata vërtet të angazhohen për të bërë biznes me një kompani që ka demonstruar se nuk është e sigurt? Ne inkurajojmë Serbinë dhe vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor, që ato t’i japin përparësi sigurisë së rrjeteve të tyre, përveç përparësisë që i japin faktit se sa tërheqëse janë paketat financiare që u ofrohen.
Palmer për Shqipërinë: SHBA nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike
Zëri i Amerikës: Të flasim për Shqipërinë. Ndaj kryeministrit të tanishëm ka shumë kritika se është bërë më autokrat. A janë SHBA të shqetësuara në lidhje me shumicën socialiste? Ç’mendim keni për situatën politike në Shqipëri?
Matthew Palmer: Ne do të donim që bllokimi i tanishëm politik në Shqipëri të zgjidhej. Ne kemi një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë aktuale të Shqipërisë ashtu siç kemi pasur një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë e mëparshme. Shtetet e Bashkuara nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike, askund, dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku jam duke u përpjekur të bëj punën time. Ne punojmë me qeveritë që dalin përmes zgjedhjeve demokratike. Ne i kuptojmë dëshirat e opozitës për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështesim qëllimin e reformave. OSBE-ja ka bërë rekomandime shumë specifike në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri. Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe, kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë. Ndërkohë, është e rëndësishme që Shqipëria të krijojë një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që ajo të gjykojë mosmarrëveshjet që do të lindnin në sferën politike. Por, mbi të gjitha, dhe kjo është shumë e rëndësishme, populli i Shqipërisë mund të mbështetet tek miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara. Aleatët tanë, partnerët tanë janë Shqipëria dhe populli shqiptar. Politika është politikë, por marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është e fortë dhe e qëndrueshme.
Zëri i Amerikës: Përsa i përket Maqedonisë së Veriut, cilat janë hapat konkretë me të cilat Shtetet e Bashkuara mund ta ndihmojnë Maqedoninë e Veriut të integrohet në bashkësinë perëndimore?
Matthew Palmer: Ne kemi shumë shpresë që Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat për anëtarësim, pas mbledhjes së Këshillit Evropian më 16 tetor. Ne besojmë se qeveria në Maqedoninë e Veriut e ka kaluar këtë kriter, madje shumë herë. Në fakt, Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave të pranimit me Shkupin për nëntë ose 10 vitet e fundit me radhë. Pra, ne e kemi bërë të qartë këtë qëndrim tek partnerët tanë evropianë. Ne mendojmë se do të ishte jashtëzakonisht e dobishme. Natyrisht, Maqedonia e Veriut, mund ta ndihmonte çështjen e saj duke vazhduar të ndjekë axhendën e reformës, duke zbatuar ligjin e ri për prokurorinë speciale. Konsultimet dhe bisedimet e tyre për këtë çështje në Shkup janë duke vazhduar. Ne do të dëshironim që të bashkëpunonim me qeverinë e Maqedonisë së Veriut në mbështetje të axhendës së reformës dhe dëshirojmë ta ndihmojmë vendin të ecë përpara. Ne gjithashtu kemi shpresë se Maqedonia e Veriut do të ecë përpara në rrugën e NATO-s dhe se mund të shohim që Maqedonia e Veriut të bëhet vendi i 30-të anëtar i NATO-s qysh në dhjetor, nëse gjërat ecin mirë.
Zëri i Amerikës: Ju keni punuar më parë me Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien. A keni diçka për të ndarë me ne? A shihni se një njoftim i tillë do të jetë një gjë e mirë për politikën e ardhshme të SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor?
Matthew Palmer: Robert O'Brien është një profesionist i rrallë. Ai ka qenë një partner i shkëlqyer për mua dhe zyrën time për një numër çështjesh të rëndësishme dhe unë e uroj që u ngrit në postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare. Jam i sigurt se ai do të bëjë një punë të shkëlqyer. Marrëdhënia jonë midis Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Ballkanin Perëndimor ka qenë gjithmonë shumë e ngushtë dhe bashkëpunuese. Ne i kuptojmë gjërat në të njëjtën mënyrë. Ne punojmë shumë ngushtë në drejtim të formësimit dhe zbatimit të politikës. Unë pres që kjo të vazhdojë nën Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare.
Zëri i Amerikës: Ju faleminderit.