Një spital amerikan po përgatitet të mjekojë amerikanin e tretë të infektuar me virusin ebola në Afrikën perendimore.
Spitali i universitetit Emory në Atlanta thotë se pret pacientin të mbërrijë sot. Nuk janë dhënë hollësi mbi identitetin e pacientit.
Muajin e kaluar spitali mjekoi me sukses dy punonjës të shëndetësisë që ishin infektuar me ebola në Liberi. Amerikani i katërt po mjekohet nga virusi në shtetin e Nebraskës.
Virusi ka shkaktuar deri tani më shumë se 2 mijë viktima në Afrikën Perëndimore në Guine, Liberi, Siera Leone dhe Nigeri.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha dje se virusi po përhapet me shpejtësi në Liberi dhe pritet të ketë mijëra raste të reja infektimesh gjatë javëve në vazhdim.