Tiranë: Opozita shqiptare me një kurs të ri politik

Tiranë: Opozita shqiptare me një kurs të ri politik

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, deklaroi se deputetët e opozitës nuk kthehen në parlament para muajit shtator. Ai theksoi se “në sezonin e ri politik opozita do të shtojë veprimtarinë e saj edhe me tubime protestash edhe brenda në parlament për të afruar ardhjen e saj në pushtet”. Zoti Rama tha në një bisedë tek televizioni Top Channel se “dialogu pozitë - opozitë duhet t’i shmanget formalizmave dhe duhet garantuar nga përfaqësues ndërkombëtarë”, dhe këtu ai përfshiu edhe miratimi i ligjeve me 3/5 të votave në parlament.

Kryetari i Partisë Socialiste foli për një “kurs të ri të opozitës” që do të sjellë fitoren e saj në zgjedhjet e ardhshme. Zoti Rama tha se “Shqipëria ka nevojë për vlerat e demokracisë europiane” të cilat, sipas tij, mbrohen nga opozita dhe shkelen nga maxhoranca.

Partia Demokratike i ka bërë thirrje opozitës që të kthehet në parlament dhe t’i japë fund bojkotit të padobishëm, për të miratuar së bashku reformat europiane në shumë fusha. Maxhoranca i kërkoi opozitës që të pranojë vendimet e gjykatave shqiptare mbi zgjedhjet vendore dhe të nisin së bashku reformën zgjedhore. Pas 2 vjetësh mosnjohje të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, opozita ka nisur kundërshtimin edhe të rezultateve të zgjedhjeve vendore, sidomos për kryeqytetin, ku kandidoi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Socialistët pohojnë se kundërshtimet e tyre nuk kanë të bëjnë me postin e kryetarit të bashkisë, por me funksionimin e demokracisë dhe institucioneve shqiptare në përgjithësi.