Udhëheqësit e organizatës së vendeve prodhuese të naftës pritet të bien dakord të pakësojnë prodhimin e naftës gjatë një takimi të enjten në Vjenë. Muajin e kaluar, çmimi i naftës së papërpunuar ra me më shumë se 20 për qind për shkak të një teprie të naftës së papërpunuar në treg. Presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar kundër rritjes së çmimit të naftës, por ekspertët thonë se rezultati më i mundshëm i takimit të Vjenës ka të ngjarë të jetë një pakësim i prodhimit të naftës nga vendet e OPEC-ut dhe Rusia.
Pas mbërritjes në Vjenë të mërkurën, ministri i Naftës i Omanit u tha gazetarëve se zyrtarët e kartelit po takohen për të bërë një marrëveshje mbi shkurtimin e prodhimit.
“Ajo që duam të arrijmë është një çmim i drejtë, dhe 50 dollarë për fuçi nuk është çmim i drejtë”, tha Mohammed Bin Hamad Al Rumhy.
Çmimet e naftës kanë pësuar një ulje qysh nga tetori, pasi Arabia Saudite ngriti prodhimin për të kompensuar një rënie në eksportet iraniane të naftës. Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Iranit, por gjithashtu dhanë leje për disa nga blerësit e naftës iraniane. Arabia Saudite, udhëheqësi de facto i OPEC-ut, dëshiron të reduktojë prodhimin për të shmangur një mbingopje të tregjeve globale vitin e ardhshëm, ashtu si Rusia, e cila nuk është anëtare e OPEC-ut. Arabia Saudite është nën presionin e Trumpit, i cili thotë se rritja e çmimit të naftës do të shkaktonte trazira.
Në një takim në Abu Dhabi më 11 nëntor, zyrtarët e naftës nga e gjithë bota treguan se janë gati të shkurtojnë prodhimin.
"Pyetja është tek sasia e shkurtimit. Në takimin e 11 nëntorit u la të kuptohej se shkurtimi mund të ishte rreth gjysmë apo 1 milion fuçi në ditë. Qysh atëhere ka patur shenja se ky pakësim mund të jetë më shumë se kaq, ndoshta deri në nivelin e 4 milionë fuçie në ditë."
Në takimin e G-20-ës në Argjentinë, Presidenti rus Vladimir Putin konfirmoi se ka një konsensus mbi këtë çështje mes prodhuesve të naftës.
"Po, ne kemi një marrëveshje për të zgjeruar bashkëpunimin tonë. Nuk ka vendim përfundimtar për vëllimin, por do ta bëjmë këtë së bashku me Arabinë Saudite".
Ligjet amerikane të konkurrencës nuk lejojnë shkurtimin e prodhimit për manipulimin e çmimeve për shkak të industrisë së fragmentuar të naftës në vend. Prodhimi i naftës amerikane është rritur gjatë viteve të fundit falë teknologjisë së përmirësuar dhe pritet të vazhdojë të rritet në 2019-ën.
"Ne kemi sërish një prodhim më të lartë të naftës nga depozitat argjilore nga sa mendonin të gjithë dhe mund të shohim përmirësime të mëtejshme në vazhdim. Sipas shifrave tona, kemi aktualisht një rritje të prodhimit me 2,5 milionë fuçi në ditë nga viti i kaluar", thotë David Wech me grupin JBC Energjy.
Rusia, Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të fundit kanë konkurruar për pozitën e prodhuesit më të madh të naftës së papërpunuar.