Kaliforni: Në votë etiketimi për OMGJ-të

Ndërkohë që republikanët dhe demokratët luftojnë për vota në prag të zgjedhjeve presidenciale, një tjetër betejë zien në Kaliforni. Votuesit në këtë shtet do të vendosin nëse ushqimet e prodhuara me përbërës të modifikuar gjenetikisht duhet të kenë etiketë speciale. Përkrahësit e etiketës thonë se është e drejta e konsumatorit të dijë çfarë përmbajnë ushqimet e tyre. Por kundërshtarët thonë se etiketat janë të kushtueshme, çorientuese dhe të panevojshme.

Në çdo dyqan ushqimesh në Shtetet e Bashkuara po të futesh sot do të jesh i rrethuar nga ushqime me përbërës të modifikuar gjenetikisht. Sherbet i nxjerrë nga misri, proteinë nga soja, vaj nga farat e pambukut, janë disa nga përbërësit që i gjen në rreth 80 për qind të ushqimeve të paketuara në supermarkete. Thuajse i gjithë misri, soja dhe pambuku që prodhohen në Shtetet e Bashkuara janë varietete të modifikuara gjenetikisht me synimin që t’u rezistojnë më mirë parazitëve e insekteve si dhe kimikateve që përdoren për të luftuar barishtet.

Këto produkte kanë qenë të pranishme në treg për më shumë se 15 vjet. Organizata më e madhe e mjekëve amerikanë Shoqata Mjekësore Amerikane, vë në dukje se nuk janë njoftuar efekte negative shëndetësore. Por Pamm Larry nga qyteti Chico në Kaliforni nuk u beson këtyre deklaratave:

“Njerëzit dikur mendonin se duhani nuk bëhet ves. Me sa kuptoj, ka plot gjëra të tilla këto ditë”.

Zonja Larry thotë se vite më pas shkencëtarët mund të zbulojnë probleme shëndetësore të shkaktuara nga konsumimi i organizmave të modifikuara gjenetikisht, ose OMGJ-të.

“Prandaj mendoj se deri atëherë, njerëzit gëzojnë të drejtën të dinë se çfarë konsumojnë”.

Anketat tregojnë se 90 për qind e amerikanëve janë të një mendimi. Prandaj zonja Larry është vënë në krye të përpjekjeve për ta përfshirë propozimin 37 në një referendum në Kaliforni. Propozimi kërkon që ushqimet të kenë një etiketë speciale nëse kanë në përbërje OMGJ. Shumë vende evropiane, Japonia si dhe dhjetëra vende të tjera e kërkojnë me dytyrim etiketën speciale. Por kundërshtarët thonë se ky propozim nuk kufizohet vetëm tek kjo kërkesë:

“Propozimi 37 nuk është vetëm për etiketat, megjithëse të gjithë përkrahësit e tij mendojnë se ky është objektivi”.

Kathy Fairbanks është zëdhënëse e fushatës “Jo për 37-tën”. Ajo thotë se Shoqata Mjekësore Amerikane, organizata më e madhe e mjekëve nuk e sheh të nevojshme etiketimin special për ushqimet me OMGJ:

“Ata u shprehën pikërisht me këto fjalë: Nuk ka justifikim shkencor për etiketën speciale të ushqimeve me përbërës të bio-ixhinierisë”.

Shoqata thotë se OMGJ-të janë po aq të pranueshme sa ushqimet e tjera. Të njëjtin qëndrim mban Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Akademika Kombëtare Amerikane e Shkencave. Por shkenca shpesh del në plan të dytë kur ndizen emocionet për OMGJ-të. Në vitet 1990, protestues evropianë krijuan panik, kur filluan të vënë në shenjestër supermarketet me produkte OMGJ, thotë Mella Frewen ((FROO-wen)), drejtoreshë e përgjithshme e shoqatës FoodDrinkEurope që përfaqëson interesat e tregtare të kësaj industrie.

“Ata parakalonin para supermarketeve të veshur si vdekja e bënin plot gjëra të tjera. Supermarketet u detyruan t’i hiqnin produket me OMGJ nga raftet:

Zonja Frewen thotë se prodhuesit evropianë tani u shmangen me sa munden OMGJ-ve. Disa produkte mund të përbajnë elementët OMGJ dhe kjo specifikohet në etiketa.
Por zonja Frewen thotë se etiketat e ndajnë tregun mes atyre që përpiqen t’i shmangin OMGJ-të dhe atyre që nuk duan t’ia dinë. Kjo nënkupton se do të nevojiten masa shtesë për të garantuar që i gjithë rrjeti i furnizimit nuk ka OMGJ, gjë që do të ndërlikonte procesin për fermerë si Greg Palla:

“Ne kultivojmë varietete të ndryshme misri, disa të përftuar nga inxhinieria gjenetike, të tjerë janë varietete tradicionale. Kur na duhet të mbjellim apo të korrim, nuk kemi pajisje të veçanta për njërin apo tjetrin varietet”.

Fermeri Palla thotë se po të blejnë makineri të veçanta për secilin varietet, do të rritet së tepërmi kostoja e ushqimit. Fushata kundër etiketave speciale thotë se këto përpjekje do t’i kushtonin konsumatorit në Kaliforni 400 dollarë shtesë në vit. Kundërshtarët parashikojnë që etiketat e detyrueshme mund të bëhen shkak për padi gjyqësore kundër çdo hallke të furnizimit ushqimor, që nga fermeri e deri tek shitësi i ushqimeve.

Zëdhënësja e fushatës për etiketat thotë se këto janë thjesht taktika paniku që po përdorin kundërshtarët e referendumit. E gjithë kjo është një çështje etiketimi, thotë zonja Stacy Malkan. Por fushata kundër etiketave po mbështetet nga prodhuesit e pesticideve dhe kompanitë e fuqishme ushqimore.

Prodhuesit e farave dhe pesticideve Monsanto dhe Dupont, si dhe kompanitë e ushqimeve dhe pijeve PepsiCo dhe General Mills janë disa nga sponsorizuesit më të fuqishëm të fushatës që kundërshton etiketat speciale për ushqimet me OMGJ.

Përkrahësit e inxhinierisë gjenetike besojnë se teknologjia është një vegël e rëndësishme për të përballuar nevojat në rritje për të ushqyer popullatën e botës.
Vota në Kaliforni po shndërrohet në një masë përtej referendumit mbi të drejtën e konsumatorit për informim. Kjo votë mund të ketë ndikim mbi drejtimin që merr në të ardhmen industria e prodhimit ushqimor.