Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ODIHR, hapi sot zyrtarisht një mision vëzhgimi për monitorimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit në Shqipëri.
Në një njoftim të ODIHR-it thuhet se misioni përbëhet nga 15 ekspertë ndërkombëtarë me qendër në Tiranë si dhe nga 24 vëzhgues që do të shpërndahen në të gjithë vendin.
Veç kësaj, ODIHR-i do të kërkojë 400 vëzhgues të tjerë afatshkurtër për monitorimin e procedurave në ditën e zgjedhjeve si dhe të procesit të numërimit të votave.
Misioni kryesohet nga Xhonathan Stounstrit, i cili ka drejtuar disa misione të tilla për ODIHR-in vitet e fundit.
Pas zgjedhjeve, misioni i ODIHR-it do të paraqesë rezultatet paraprake ndërsa raporti përfundimtar do të nxirret rreth tetë javë pasi misioni vëzhgues të ketë përfunduar punën.