E ardhmja e NSA-së

Zemërimi lidhur me përmasat e përgjimeve të telefonave dhe Internetit të aleatëve nga ana e Agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare, mund të ëojë në një reformim të kësaj agjencie zbulimi. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klein, drejtori i ardhshëm i NSA ka shumë gjasa të përballet me vëzhgim më të hollësishëm nga Kongresi të aktiviteteve të agjencisë.

Akuzat se Agjencia e Sigurisë Kombëtare ka përgjuar komunikimet e udhëheqësve botërorë në internet dhe telefonat e tyre, ka zemëruar aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe gjetkë.

Kompanitë amerikane të internetit, Yahoo and Google u zemëruan kur mësuan se agjencia kishte përgjuar të dhënat e tyre duke kontrolluar informacionet private të qindra miliona njerëzve.

Bërja publike e përgjimeve dhe e përmasave të tyre kaa krijuar kushtet që Kongresi të ndërhyjë për të vendosur kufizime të reja mbi aktivitetet e agjencisë super sekrete.

Drejtori i agejncisë, gjenerali Keith Alexander del në pension vitin e ardhshëm dhe pasuesit të tij, do t’i duhet të rivendosë besimin tek agjencia, thotë Paul Tiao, ish këshilltar i drejtorit të FBI-së dhe tani partner me firmën e avokatisë Hunton and Williams.

"Do të jetë e rëndësishme për drejtorin e NSA-së të arrijë të ndërtojë marrëdhënie besimi, si me udhëheqësit e huaj ashtu edhe me homologët në agjencitë e zbulimit jashtë vendit, por gjithashtu me industrinë dhe drejtuesit e saj."


Zoti Alexander kishte në plan të dilte në pension para se ish kontraktori i NSA-së Edward Snowden të nxirte dokumentet sekrete mbi programin e përgjimeve. Por si do të mbahet mend mjeshtri i spiunazhit?

Një studiues në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, James Andrew Lewis, thotë se zoti Alexander respektohet gjerësisht për drejtimin e NSA-së, dhe për krijimin e degës ushtarake të agjencisë së spiunazhit, Komandën Kibernetike.

"I kam pyetur njerëzit, çfarë mendojnë pas rastit Snowden, çfarë do të ndodh me zotin Alexander. Përgjigja si nga zyrtarë të lartë të administratës edhe nga republikanët është se ai është i pazëvendësueshëm."

Ish zyrtari i NSA-së William Binney thotë se përgjimet e kryera nga agjencia shkelin Kushtetutën Amerikane. Ai i kundërshtoi pretendimet e zotit Alexander se mbledhja e të dhënave brenda vendit është e nevojshme për të parandaluar aktet terroriste.

"Kjo nuk ka kuptim. Eshtë boshe."

Zoti Binney nuk pret që drejtuesi i ardhshëm i NSA-së të heq dorë nga përgjimet.

"Nuk besoj se do të ndryshojë gjë nëse nuk ndryshojnë politikën dhe ato që ata bëjnë në agjenci."

Paul Tiao parashikon gjithashtu që përgjimi të vazhdojë.

"Ky është misioni i tyre: mbledhja e komunikimeve të terroristëve, të lojtarëve të zbulimeve të huaja dhe të kërcënimeve kibernetike."


Disa po kërkojnë drejtues të veçantë për NSA-në dhe Komandën Kibernetike. Ata thonë se zoti Alexander kishte shumë pushtet duke mbajtur të dyja postet.

Por James Andrew Lewis thotë se zoti Alexander e ka kryer detyrën me përgjegjshmëri.

"Këto poste janë mjaft të kontrolluara. Ai është pjesë e zinxhirit të komandës, dhe nuk ka patur asnjëherë problem."

Megjithatë, kandidati i presidentit Barack Obama për të drejtuar Agjencinë e Sigurimit Kombëtar dhe Komandën Kibernetike do t’i duhet të punojë nga afër me Kongresin dhe aleatët e Amerikës.