Nga e hëna Serbia dhe Maqedonia e Veriut, do të zbatojnë kontrollin e përbashkët të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në vendkalimin kufitar në mes të Preshevës dhe Tabanocës.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, dhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, përuruan fillimin e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, duke e vlerësuar se ky duhet të jetë shembull për bashkëpunimin rajonal.
Kryeministri Zaev tha se “me këtë do të shpejtohet lëvizja e udhëtarëve, mallrave dhe automjeteve. Do të rritet numri i turistëve në të dy shtetet dhe i turistëve të cilët kalojnë nëpër dy vendet tona”, tha ai.
Ai theksoi se me njohjen e certifikatave ndërkufitare midis vendit të tij dhe Serbisë, do të shmangen mashtrimet doganore, do të lehtësohet lufta kundër korrupsionit dhe do të shtohet mirëbesimi dhe tregtia ndërmjet të dyja vendeve.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, tha se sistemi i integruar i kufirit do të mundësojë lëvizjen më të shpejtë të kamionëve dhe do të nxisë tregtinë rajonale.
Ajo shfrytëzoi rastin për të kritikuar vendimin e Prishtinës zyrtare për vendosjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjë e Hercegovinës, duke përsëritur thirrjen për heqjen e tyre.
“Serbia, do të kërkojë rrugë alternative përmes marrëveshjeve me shtete të tjera për zhvillimin e tregtisë”, tha kryeministrja serbe.
Prishtina vendosi tarifa ndaj mallrave serbe në nëntor të vitit të kaluar dhe që atëherë janë pezulluar edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, meqë Beogradi kushtëzon rifillimin e tyre me heqjen e tarifave.