Polemika mbi gazsjellësin Nord Stream 2

  • Henry Ridgewell

Disa shtete të Evropës Lindore kanë ngritur kundërshtimin e tyre ndaj një gazsjellësi të ri që lidh Rusinë me Gjermaninë. Projekti 'Nord Stream 2' do të sjellë gazin rus drejtpërsëdrejti në Evropën perëndimore - por kritikët thonë se kjo do të rrisë varësinë nga Rusia dhe do të pasurojë firmat e saj shtetërore të energjisë në një kohë kur Moska është akuzuar për rrezik ndaj sigurisë evropiane.

Nord Stream 2 - Një gazsjellës prej 11 miliardë dollarësh, 1,225-kilometra i gjatë që lidh Rusinë me Gjermaninë përgjatë detit Baltik, është në plan të përfundojë vitin e ardhshëm.

Ky është një projekt privat i mbështetur ndër të tjera nga gjigandët e energjisë si kompania Shell dhe Gazpromi shtetëror rus. Por projekti ka gjithashtu mbështetjen e fortë të Berlinit dhe Moskës.

"Ne mbështesim zbatimin e këtij projekti i cili padyshim që është absolutisht i pavarur nga politika. Ky është një projekt thjesht ekonomik dhe për më tepër komercial. "

Shumë shtete të Evropës Lindore thonë se Evropa nuk duhet të përfshihet në biznese të tilla me presidentin Putin.

Disa nga kritikët më të zëshëm janë Estonia, Letonia dhe Lituania – ministrat e jashtëm të të cilave u takuan javën e kaluar me Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson në Uashington.

"Siguria këto ditë është shqetësuese për të gjithë. Nuk ka ndarje të qarta mes sigurisë së brendshme dhe asaj të jashtme dhe gjithashtu asaj gjeografike", thotë Sven Mikser, ministër i jashtëm i Estonisë.

Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë gazsjellësin Nord Stream 2 – ato i kanë vënë sanksione kompanive ruse pas aneksimit të Krimesë nga Moska dhe kompanitë e huaja të përfshira në eksplorimin rus të energjisë. Deri tani këto sanksione nuk kanë ndikuar projektin Nord Stream 2.

Shumë vende të Evropës Lindore janë gjithashtu të shqetësuara se gazsjellësi i ri nuk do t’u sjellë përfitime ekonomike.

“Mund të ketë pengesa mes Evropës Qendrore dhe Evropës Lindore, dhe ato vende mund të shohin rritje të çmimeve dhe mund të jenë më të ekspozuara ndaj një ndërprerjeje të gazit rus për arsye politike. Ukraina do të humbiste rreth 2 miliardë dollarë në vit në tarifat e tranzitit”, thotë Noah Gordon me Qendrën për Reformën Evropiane.

Komisioni Evropian gjithashtu e kundërshton Nord Stream 2 –por thotë se nuk ka bazë ligjore për ta bllokuar atë. BE-ja shpreson të zbusë rrezikun duke investuar në lidhjen e tubacioneve përgjatë kufijve evropianë.

"Qëllimi është një treg i qëndrueshëm i gazit, një rrjedhje e lirshme përtej kufijve. Për dy vjet, Ukraina nuk ka blerë gaz nga Rusia. Në vend të kësaj ata blejnë gaz, gaz rus zakonisht, indirekt nga tregtarët europianë si Gjermania, apo holandezët. Pra, nëse tregu evropian i gazit do të ishte në një gjendje mjaft të fuqishme dhe nëse Evropa do të ishte më efikase për energjinë dhe do të përdorte më pak gaz, rusët apo ndryshe, Rusia nuk do të ishte në gjendje të ndërhyjë ose të përdorte gazin si armë”, thotë Noah Gordon me Qendrën për Reformat Evropiane.

Polonia dhe Lituania – që kundërshtojnë me forcë Nord Stream 2 – kanë ndërtuar terminale për gazin natyror të lëngshëm apo LNG. Shtetet e Bashkuara kërkojnë të rrisin eksportin e këtij gazi në Evropë.

Ata që janë kundër gazsjellësit Nord Stream 2 shpresojnë se një furnizim i larmishëm do të ndihmojë në uljen e aftësisë së Rusisë për të përdorur gazin si një armë politike.