Komiteti Norvegjez i Nobelit, shpalli të premten fitues të çmimit Nobel për paqe, Denis Mukwege dhe Nadia Muradin, për përpjekjet e tyre për t'i dhënë fund dhunës seksuale si armë e luftës.
Në arsyetimin e komitetit thuhet se Nadia Murad është një nga rreth 3 mijë vajzat dhe gratë Yazidi, që ishin viktima të përdhunimeve dhe abuzimeve tjera të grupit militant Shteti Islamik. Abuzimet ishin sistematike dhe pjesë e strategjisë ushtarake dhe ato u shfrytëzuan si armë në luftën kundër pakicës Yazidi dhe pakicave tjera fetare.
Nadia Murad, është dëshmitare që ka rrëfyer për abuzimet e kryera ndaj saj dhe të tjerave. Ajo ka treguar guxim të pazakontë në rrëfimin e vuajtjeve të saj dhe të viktimave të tjera, thuhet në arsyetimin e komitetit.
Mjeku Denis Mukwege, ka kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij duke ndihmuar viktimat e dhunës seksuale në Republikën Demokratike të Kongos. Ai dhe personeli i tij kanë trajtuar mijëra viktima të sulmeve të tilla.
Ai ka ka dënuar në mënyrë të përsëritur mosndëshkimin për përdhunimet masive dhe ka kritikuar qeverinë kongoleze dhe vendet e tjera që nuk kanë bërë sa duhet për të ndaluar përdorimin e dhunës seksuale ndaj grave si një strategji dhe një armë lufte.
Çmimi për paqe është i katërti që ndahet sivjet pas shpalljes së fituesve në fushën e mjekësisë, fizikës dhe kimisë më herët gjatë javës. Të hënën pritet të ndahet çmimi për fushën e ekonomisë.
Çmimi mori emrin nga zbuluesi i dinamitit, Alfred Nobel, që ishte edhe themelues i tij dhe është ndarë që nga vitit 1901 për arritjet në shkencë, letërsi dhe paqe, sipas amanetit të tij.
Çmimi për letërsinë nuk do të ndahet këtë vit për shkak të një skandali seksual në Akademinë Suedeze.