Një zyrtar i Grupit të Krizave thotë se situata në veri të Kosovës është e rrezikshme

  • Keida Kostreci

Një zyrtar i Grupit të Krizave thotë se situata në Veri të Kosovës është e rrezikshme dhe se asnjë alternativë nuk duhet përjashtuar për zgjidhjen e saj. Marko Prelec, Drejtor i Projektit të Ballkanit shton se është urgjente që Prishtina dhe Beogradi të diskutojnë për marrëdhëniet mes tyre dhe veriun dhe se përfaqësuesit e veriut duhet të përfshihen në çdo lloj diskutimi për fatin e tyre. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me zotin Prelec:

Zëri i Amerikës: Zoti Prelec, si do ta vlerësonit situatën në Kosovë?

Marko Prelec: Situata është shumë e rrezikshme. Qeveria në Kosovë ndjehet se nuk është në gjendje dhe në fakt nuk është në gjendje që të garantojë sigurinë e qytetarëve të saj, sidomos të qytetarëve shqiptarë, në pjesën veriore të vendit të kontrolluar nga serbët. Dhe kjo situatë po krijon një presion ndaj qeverisë që duket pothuasje i papërballueshëm, si nga popullata, media dhe opozita. Dhe ka një presion të madh për ta, pothuasje një tundim për të vepruar në një mënyrë që do ta acaronte situatën. Të gjitha zërat për një tjetër 25 korrik, janë një shenjë e rrezikshme dhe mendoj se tregon se ne nuk duhet të lejojmë që situata në veri të mbetet e pazgjidhur përgjithmonë. Prandaj është urgjente që qeveritë e Serbisë dhe Kosovës të flasin për marrëdhëniet e tyre, për shumë çështje, përfshirë edhe veriun sepse këto çështje janë të pandashme. Mendoj se ka një vullnet nga ana e Beogradit për të folur për zbatimin e planit Ahtisaari dhe ekziston vullneti në Prishtinë për të diskutuar përtej planit Ahtisaari dhe për të ofruar disa privilegje të tjera për veriun, por të dyja këto janë të kushtëzuara nga ato që secila nga palët do që të marrë nga tjetra. Konkretisht, që Prishtina të pranojë të flasë për një status të veçantë për Veriun, asaj do t’i duhet të shohë që Beogradi ka vullnetin të normalizojë marrëdhëniet dhe të ndërmarrë hapa drejt njohjes. Pra ka nevojë për një dialog politik. Do të jetë fillimi i një procesi të gjatë, por duhet filluar tani.

Zëri i Amerikës: A mendoni se këto diskutime duhet të jenë pjesë e dialogut ekzistues mes Prishtinë dhe Beogradit, apo duhet të ketë një proces tjetër të ri?

Marko Prelec: Sigurisht që dialogu duhet të vazhdojë por duhet të shkojmë edhe më tej. Pyetjet e mëdha politike të marrëdhënies mes Serbisë dhe Kosovës si dy shtete, ç’vend zë Veriu i Kosovës në Kosovë, këto çështje janë shumë të mëdha për t’u trajtuar në një dialog teknik. Deri tani në këtë dialog, palët bënin sikur flisnin për çështje teknike por në fakt nxiteshin të flisnin për gjëra të tjera. Palët duhet të ndalojnë të bëjnë sikur dhe të kenë një mundësi të flasin hapur për çështjet që i ndajnë dhe të gjejnë një zgjidhje. Është çështje ekzistenciale për të dyja shtetet. Serbia do të hasë pengesa të mëdha në rrugën drejt Bashkimit Evropian nëse nuk përballet me çështjen e Kosovës dhe Kosova i ka këto pengesa në rrugën e saj drejt integrimit në komunitetin evropian.

Zëri i Amerikës: Cila do të ishte zgjidhja reale? Herë pas here ka zëra të ndryshme për një status të veçantë, si për shembull autonomi. Cila mendoni ju se do të ishte një zgjidhje funksionale?

Marko Prelec: Po të shohësh në shembujt që paraqesin vendet evropiane, ka shumë të tillë që shkojnë përtej planit Ahtisaari dhe që janë miratuar nga vetë shtetet pa ndonjë presion nga jashtë. Pra ka mjaft hapësirë për të lëvizur për një status të veçantë. Por gjëja më e rëndësishme që mund të bëjnë faktorët e jashtëm është të ndihmojnë njerëzit që jetojnë atje ta marrin vendimin vetë. Nuk duhet të përjashtojmë asnjë alternativë. Ky duhet të jetë një vendim i Prishtinës dhe Beogradit.

Zëri i Amerikës: A tregon vendimi i fundit nga serbët e veriut për t’i mbajtur zgjedhjet pavarësisht nga vendimi i Beogradit për të mos ta bërë një gjë të tillë, një çarje mes vetë serbëve, atyre në Beograd dhe përfaqësuesve në Veri të Kosovës?

Marko Prelec: Kjo çarje ka qenë e pranishme për një farë kohe dhe ka kohë që thellohet. Përfaqësuesit e partive më popullore në veri të Kosovës nuk i takojnë partive të koalicionit qeveritar në Beograd dhe që nga 25 korriku ka pasur një thyerje të besimit nga të dyja palët dhe nuk po përmirësohet.

Zëri i Amerikës: Dhe në këto kushte, si mund të përfshihen serbët në veri në bisedimet për të ardhmen e asaj zone?

Marko Prelec: Sigurisht ata duhet të përfshihen në çdo lloj dialogu për fatin e tyre. Por duhet të shmangen disa gabime. Në Prishtinë ka një prirje për të zgjedhur sipas dëshirës se kush janë përfaqësues të pranueshëm dhe kjo nuk duhet bërë. Janë njerëzit e një territori të caktuar që vendosin se kush duhet t’i përfaqësojë, jo dikush nga jashtë. Po ashtu ka një prirje në Prishtinë për të thënë që do të flasim me përfaqësuesit e Veriut por pa Beogradin, sepse kjo është çështje e brendshme e Kosovës. Kjo mund të jetë e vërtetë për Prishtinën, por jo banorët e atjeshëm që e shohin veten si banorë të Serbisë. Në Beograd ka një prirje që t’i ftojnë përfaqësuesit e Veriut në bisedime, por pastaj t’i injorojnë. Ka disa çështje për të cilat banorëve të Veriut nuk u takon të vendosin, si për shembull kontrolli i kufirit (ose siç e quan Beogradi, vija ndarëse) do të përcaktohet nga dy kryeqytetet, por për mënyrën sesi do të qeverisen apo si do t’i kenë marrëdhëniet me Beogradin dhe Prishtinën, ata duhet të shfaqin qëndrimin e tyre sepse ata do t’i zbatojnë masat dhe nëse ata nuk bien dakord, situata është e bllokuar.

Zëri i Amerikës: Pas incidenteve të fundit, a mendoni që situata do të përshkallëzohet?

Marko Prelec: Situata po përshkallëzohet dhe do të vazhdojë kështu nëse nuk merren hapa për ta qetësuar. Mendoj se nuk ekziston vullneti për ta bërë këtë derisa të mbahen zgjedhjet serbe dhe mendoj se ky është gabim. Nuk dua të shoh njerëz të humbin jetën, nga mungesa e vullnetit për t’u marrë me këto çështje gjatë një fushate zgjedhjesh. Por sigurisht, pas zgjedhjeve, duhet marrë masa urgjente për të qetësuar situatën në terren.