Një serb i Kosovës dënohet për krime lufte

Në Prishtinë, një trup gjykues i drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit e shpalli fajtor për krim lufte një pjesëtarë të komunitetit serb.

Në një njoftim të EULEX-it thuhet se Zoran Kolic u shpall fajtor për kryerjen e krimeve të luftës kundër të burgosurve në burgun e Lipjanit në maj të vitit 1999 dhe u dënua me 14 vjet heqje lirie. Trupi gjykues e shpalli Kolicin fajtor në dy akuza për krime të luftës kundër popullatës civile dhe një akuzë për posedim të paligjshëm të armëve.

Ai ishte arrestuar në prill të vitit 2011 në fshatin Dobratin të komunës së Lipjanit, rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës, nën akuzat për vrasje dhe trajtim çnjerëzor të civilëve në Kosovë në maj të vitit 1999.

I dënuari është anëtar i Partisë së Pavarur Liberale serbe, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës në Kosovë.