Policia greke njoftoi sot se një person humbi jetën dhe pesë të tjerë u plagosën në një aksident të një autobuzi shqiptar të Linjës Tiranë Athinë.
Sipas burimeve policore greke autobusi u përplas pak pas mesnatës me një kamion në rrugën që lidh Janinën me Artën në Greqinë Veriore. Ekipeve greke të shpëtimit iu desh kohë të nxirrnin të plagosurit dhe t`i transportonin më pas drejt spitalit të Janinës, tha në një njoftim policia e Janinës.
Policia greke tha se ende nuk janë sqaruar rrethanat e aksidentit të rëndë. Ndërkaq, ditët e fundit në Shqipëri Gjykata e Fierit po shqyrton një proçes gjyqësor ndaj një shoferi grek që u përfshi në një aksident me një prej autobuzëve të linjës Tiranë Athinë disa muaj më parë. Në aksident humbën jetën nëntë persona dhe u plagosën disa të tjerë.
Aksidenti ndodhi në segmentin që lidh Tepelenën me Mallakstrën. Transporti i udhëtarëve me Greqinë shtohet gjatë këtyre muajve për shkak të lëvizjes së madhe të emigrantëve shqiptarë që kthehen për pushime.