Një burg i CIA-s në Rumani?

  • Zëri Amerikës

Një burg i CIA-s në Rumani?

Në pjesën veriore të Bukureshtit, në një lagje plot lëvizje jo shumë larg qendrës, ka një sekret që qeveria rumune është përpjekur ta fshehë prej kohësh. Për vite me radhë, Agjencia Qendrore e Zbulimit, CIA, ka përdorur një ndërtesë qeveritare të koduar me emrin “Bright Light", si një burg të përkohshëm për të arrestuarit më të rëndësishëm për terrorizëm.

Agjencia e lajmeve Associated Press dhe televizioni publik gjerman, ARD, arriti ta gjejë burgun dhe të mësojë hollësi për këtë objekt ku thuhet se janë përdorur teknika të ashpra të marrjes në pyetje.

Burgu i Rumanisë ishte pjesë e një rrjeti objektesh të ngjashme që CIA operonte jashtë Shteteve të Bashkuara, si në Tajlandë, Lituani dhe Poloni.

Aty ajo mbante operativët e al-Kaidës, si Khalid Sheikh Mohammed, i cili qëndronte prapa ngjarjeve të 11 shtatorit 2001. Të tjerë i mbante në një bodrum, përpara se t’i transferonte përfundimisht në Guantanamo në vitin 2006. Kjo, sipas ish zyrtarëve amerikanë të zbulimit që kishin dijeni për funksionimin e burgut.

Për ekzistencën e një burgu të CIA-s në Rumani është njoftuar shpesh, por vendi se ku ndodhej ai deri tani nuk ishte bërë kurrë publik.

Të gjithë këta objekte u mbyllën në vitin 2006. Ndryshe nga të tjerët, burgu i CIA-s në Rumani nuk ndodhej në ndonjë vend të izoluar. Përkundrazi ndërtesa ishte në sytë e të gjithëve, shumë afër një bulevardi kryesor.

CIA nuk ka pranuar të komentojë për këtë burg.

Ish zyrtarë amerikanë thonë se meqenëse ndërtesa ishte objekt qeveritar, ajo nuk ngjallte dyshimin e banorëve përreth.

Veprimtarë të të drejtave të njeriut u kanë bërë thirrje vendeve të Evropës Lindore të hetojnë mbi rolin që luajtën qeveritë e tyre në pranimin e këtyre burgjeve ku thuhet se janë përdorur teknika të ashpra të marrjes në pyetje, duke përfshirë edhe simulimin me mbytje.

“Në atë kohë, shteti rumun vepronte si bashkëfajtor i atyre që transportonin persona të arrestuar dhe i sillnin këtu,” thotë Mircea Toma, i cili kryeson Agjencinë për Monitorimin e Medias në Rumani.

Gjatë një vizite në Rumani, drejtori i FBI-së Robert Muller theksoi rolin e Shërbimit Informativ Rumun në luftën kundër terrorizmit:

“Dua të falenderoj sidomos shërbimin informativ rumun dhe drejtorin e tij për punën në luftën kundër terrorizmit në bashkëpunim me ne,” tha zoti Mueller.

Në të kaluarën, senatori zviceran Dick Marty, e ka ngritur disa herë çështjen e mohimit të ekzistencës së këtyre burgjeve. Ai ka kryesuar hetimet rreth akuzave për burgje të CIA-s në Evropë.

"Ne jemi përballur me një mur heshtjeje nga shumica e qeverive evropiane. Tani ne e dimë se kjo heshtje fsheh disa akte të paligjshme dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Në sajë të administratës amerikane, ne tani dimë se qindra njerëz kanë qenë rrëmbyer në mënyrë të paligjshme,” u shpreh zoti Marty në vitin 2007.

Për banorët e lagjes, kjo është një histori e pabesueshme.

"Nuk e besoj sepse ne kemi miq që jetojnë afër atij vendi dhe ata do të na kishin treguar për makina apo gjëra të tjera. Prapa ndërtesës luajnë futboll fëmijët dhe nuk ka patur ndonjë problem,” thotë një shitës me emrin Sebastian.

"Nuk kam dëgjuar për gjëra të tilla, hera e parë që dëgjoj dhe natyrisht jam i habitur,” thotë një tjetër banor i lagjes.

Objektet në Rumani dhe Lituani u mbyllën 5 vjet më parë dhe disa nga të paraburgosurit u dërguan në Kabul e pastaj në Guantanamo.