Autoritetet nigeriane thanë se personat e armatosur liruan të gjitha 279 vajzat e rrëmbyera nga një shkollë me konvikt, në veriperëndim të këtij vendi afrikan.
Sipas raporteve të mëparshme, 317 nxënëse nga një shkollë e mesme për vajzat në qytetin e Jangebe u rrëmbyen nga një bandë e armatosur rreth orës 1 të mëngjesit të së premtes më 26 shkurt.
Lexoni edhe këtë Rrëmbehen qindra nxënëse në NigeriZëdhënësi i shtetit Zamfara, Sulaiman Tanau Anka, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se disa nga vajzat e zhdukura ishin fshehur në kaçuba në kohën e sulmit dhe numri i atyre që ishin rrëmbyer ishte 279. Të gjitha tani janë liruar, tha guvernatori i shtetit Zamfara, Bello Mataëalle.
Shumica e vajzave dukeshin në gjendje të mirë, por të paktën një duzinë u dërguan për trajtim në spital. Vajzat ishin kryesisht të zbathura dhe disa kishin plagë në këmbë.
"Ky lajm sjell një gëzim të jashtëzakonshëm", tha presidenti Muhammadu Buhari në twitter pasi vajzat u liruan. "Unë jam i kënaqur me përfundimin fatlum dhe pa ndonjë incident të kaluarit të tyre”.
Të hënën, zyrtarët shtetërorë thanë se kishin filluar bisedime me rrëmbyesit dhe se ata nuk do të dërgonin forcat e sigurisë nga frika se vajzat mund të pësojnë.
Shkollat janë bërë shënjestra të rrëmbimeve masive në shkëmbim të shpërblimeve në Nigerinë veriore nga grupet e armatosura kriminale, në një trend të filluar nga grupi xhihadist, Boko Haram, dhe më vonë degët e Shtetit Islamik në rajonin e Afrikës Perëndimore.
Rrëmbimi i vajzave në shtetin Zamfara ishte i dyti i tillë brenda pak më shumë se një jave në veriperëndim, një rajon gjithnjë e më shumë i shënjestruar nga bandat kriminale. Të shtunën, personat e armatosur liruan 27 djem të cilët ishin rrëmbyer nga shkolla e tyre në 17 shkurt.
Në vitin 2014, Boko Haram rrëmbeu më shumë se 270 nxënëse nga qyteti Chibok, në verilindje të vendit. Rreth 100 prej tyre ende llogariten të zhdukura.