Armëpushim mes Nigerisë dhe Boko Haramit

Qeveria nigeriane thotë se ka në plan të diskutojë me grupin militant islamik Boko Haram javën që vjen për kushtet e lirimit të mbi 200 nxënëseve që u rrembyen në muajin prill.

Dy palët ranë dakord dje për një armëpushim.

Ndihmësi kryesor i presidentit nigerian, Hassan Tukur i tha Zërit të Amerikës se militantët kanë rënë dakord në parim që të lirojnë vajzat e shkollës. Bisedimet për këtë çështje pritet të mbahen në Çad javën që vjen. Zoti Tukur tha se negociatat në të kaluarën nuk “kishin dhënë rezultat pozitiv”, por se këtë radhë ai ka një optimizëm të përmbajtur.

Boko Haram nuk ka bërë komente për këto zhvillime.

Boko Haram ka terrorizuar Nigerinë gjatë pesë viteve të fundit ndërsa përpiqet të kthejë Nigerinë veriore në një shtet konservator islamik.