Prokurorët federalë amerikanë kanë ngritur akuza zyrtare ndaj djalit nga Kosova për të cilin thuhet se qëlloi për vdekje dy pjestarë të forcave ajrore amerikane në Gjermani në muajin mars.
Zyra e prokurorit amerikan në New York thotë se Arid Uka brohoriti në gjuhën arabe “Zoti është i madh” dhe vazhdoi të qëllonte deri sa iu mbaruan fishekët.
I akuzuari Arid Uka ndodhet i ndaluar në Gjermani. Është e paqartë nëse ai do të ekstradohet në Amerikë për t'u gjykuar. I arrestuari Uka ishte punonjës me kontratë në aeroportin e Frankfurtit kur u fut në një autobus ku kishte pasagjerë edhe nga forcat ajrore amerikane. Zyrtarët amerikanë besojnë se ai veproi i vetëm dhe nuk ishte pjesë e asnjë grupi terrorist.