Shqipëri: Kanë filluar të dalin rezultatet e para të zgjedhjeve për pushtetin vendor

  • Armand Mero
    Tiranë

Shqipëri: Kanë filluar të dalin rezultatet e para të zgjedhjeve për pushtetin vendor

Në Shqipëri kanë filluar të dalin rezultatet e para të zgjedhjeve për pushtetin vendor. Të dyja palët pretendojnë për fitore. Kryetari socialist Edi Rama tha sot se opozita është fituese e këtyre zgjedhjeve.

Më pas kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli tha se Aleanca për Qytetarinë në rrafsh kombëtar është në kryesim. Numërimi ka përfunduar në disa prej qyteteve të vogla dhe vazhdon me ngadalësi në pjesët e tjera. Duke u nisur nga rritmi i numërimit, pritet që rezultati të njoftohet pas disa ditësh.

Nga të dhënat e pjesshme, të deritanishme, e majta udhëheq në shumicën e qendrave të mëdha ndërkohë që ka fituar edhe në qytete të cilat kanë qenë nën kontrollin e së djathtës, përfshirë Sarandën, Tepelenën si dhe në veri në Rëshenin dhe Burrelin. Deri tani, mes qendrave të mëdha, Partia Demokratike udhëheq në zonën e Shkodrës, ndërkohë që është konfirmuar fitorja e koalicionit të së djathtës në qytetin e Lezhës.

Edhe në Tiranë, deri tani, kryetari aktual Edi Rama është në avantazh ndaj rivalit të tij Lulëzim Basha. Në shpalljen e rezultatit të hershëm të votimeve vihet re një farë nxitimi, për të cilën mund të thuhet se ka qënë një praktikë e hershme në pothuajse të gjitha proceset zgjedhore në Shqipëri madje këtë herë mund të thuhet se kanë qenë të vonuara.

Në zgjedhjet e kaluara përfaqësues të lartë politikë deklaruan fitoren vetëm pak minua e madje nganjëherë edhe pa mbaruar procesi i votimit. Megjithatë është edhe një taktikë elektrorale duke qenë se sidomos faza e numërimit kthehet edhe në një luftë nervash mes përfaqësuesve të grupimeve kryesore.