Nuk është e lehtë të jesh agjent spiunazhi. Kjo detyrë kërkon aftësi të veçanta, si zotërimin dhe përdorimin pajisjeve të ndryshme. Vizitorët në muzeumin e ri “Spyscape”, të hapur para pak ditësh në Nju Jork, mund të eksplorojnë misione sekrete dhe të provojnë veten nëse zotërojnë aftësitë për të qënë agjent sekret.
Muzeumi “Spyscape” eksploron të gjitha aspektet e spiunazhit në të shtatë galeritë dhe pavionet. Vizitorët mund të provojnë aty edhe aftësitë e veta për të qenë agjent i fshehtë. Shelby Prichard është shef i stafit në muzeum.
“Mes sfidave janë poligrafi dhe marrja në pyetje deri tek shkathtësia dhe tunelet e operacioneve speciale. Gjëja kryesore është misioni individual. Vizitorët pajisen me një identitet të ri dhe merren në pyetje dhe aty provohen toleranca e rrezikshmërisë, koefiçenti i inteligjencës dhe cilësitë individuale. Në fund, vizitorët mësojnë aftësitë që kanë për spiunazh.”
Çdo galeri tregon objekte që lidhen me spiunazhin, si makina aktuale “Enigma” e përdorur nga gjermanët për të deshifruar mesazhet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Maska e përdorur nga hakerët e grupit global “Anonymous” ku duket edhe kodi i individit që mbante maskën.
Një pavion në seksionin e hetimeve të spiunazhit titullohet “Ushqime deti nga Skllevërit”. Fjala është për një seri raportimesh të bëra nga agjencia Associated Press që kanë fituar Çmimin Pulitzer dhe që tregojnë se si peshqit e kapur me punën e detyruar të skllevërve në Azinë Juglindore përfundonin në kuzhinat amerikane.
Për të hetuar këto, Associated Press përdori satelitët për gjurmimin e anijeve me prodhime deti të kapura nga njerëz të kthyer në skllevër. U gjurmua gjithashtu sesi peshqit e kapur transferoheshin nëpër objekte të ndryshme.
“Çdo galeri spiunazhi këtu lidhet me realitetin. Në një galeri kodimi tregohet historia e deshifrimit të kodeve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe muzeumi mundohet të tregojë se pse kjo është e rëndësishme në jetën e përditshme. Flasim për mesazhet e enkriptuara si WhatsApp dhe idenë që dihet se asnjë kod nuk është i pathyeshëm. Ndaj është çështje kohe para se kodet të deshifrohen.”
Për ngritjen e muzeumit kontribuan ish-agjentë të fshehtë, hakerë dhe pjestarë të agjencive të zbulimit. Ndaj edhe vizita në “Spyscape” të ofron ndjesinë e një “misioni” të vërtetë.