Duke reaguar për marrjen nga Shqipëria të kryesisë së radhës të OSBE-së, zoti Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në OKB, tha:
“Mendoj se do të jetë diçka pozitive për Shqipërinë që të jetë në krye të organizatave ndërkombëtare. Përveç pozitivitetit që Shqipëria mund të luajë një rol, mendoj se ka sfida që vijnë nga disa arësye. Së pari është personalizimi nga liderët që janë në pushtet të politikës së jashtme. Kjo është një sfidë sepse nuk funksionojnë në mënyrë organike institucionet që merren me politikën e jashtme, por influencohen nga vendmmarrja e liderit, i cili është në pushtet. Kjo është sfida kryesore. Së dyti është se çfarë duhet të tregojë Shqipëria sepse ekzistojnë probleme të tilla si kapja e shtetit, korrupsioni i thellë si dhe ajo që është evidentuar nga shtypi ndërkombëtar, siç është ekzistenca e një narko shteti. Të gjitha këto kërkojnë një sforco të jashtëzakonshme për të patur kryesimin e një organizate si OSBE-ja.”