Në Tiranë, sociologu i njohur, Gëzim Alpion, biografi i Nobelistes së Paqes Nënë Tereza, mbajti një leksion publik mbi shenjtërimin e saj. Ai trajtoi një seri detajesh nga jeta e Nënë Terezës, ndërsa po shkruan edhe një libër të ri për të.
Your browser doesn’t support HTML5
Qendra e Studimit të Politikave Europiane për Zhvillim Rajonal e Lokal organizoi në Tiranë një konferencë mbi vlerat dhe rëndësinë e figurës së Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhiu në prag të shenjtërimit nga Vatikani.
Dr. Gëzim Alpion, nga Universiteti i Birmingamit i Britanisë së Madhe mbajti leksionin publik “Nënë Tereza: Sfidat e studimit para dhe mbas shenjtërimit”.
Në një mori detajesh të kësaj figure të njohur, ai tërhoqi vëmendjen e një auditori të larmishëm me studentë, klerikë dhe diplomatë, qytetarë, studiues dhe besimtarë.
Dr. Alpion ka stidiuar në Universitetin e Kajros dhe mbrojti doktoraturën në Angli, ku ishte lektor në disa universitete, para se të emërohej në Universitetin e Birminghamit.
Libri i tij më i njohur është Nënë Teresa: E Shenjtë apo e Famshme, i botuar në Londër dhe Nju Jork, në Nju Delhi dhe në Romë.
Por dr.Alpion pohoi në Tiranë se ka në dorë një libër të ri për Nënë Terezën.
Leksionit publik të dr.Alpion iu bashkuan me kumtesa edhe studiues të tjerë si prof. Përparim Kabo dhe dr.Nevila Nika, të cilët theksuan aspekte të veçanta të veprimtarisë humanitare të Nënë Terezës, i pari besimin e saj të lartë fetar dhe e dyta lidhjen e saj me kombin shqiptar.
Kalvari i vuajtjeve të besimtarëve shqiptarë nën diktaturën komuniste zgjati afro gjysëm shekulli, kur u vranë dhe u burgosën mijëra klerikë dhe qytetarë të çdo besimi, sepse feja u ndalua me ligj.
Dr.Alpion beson se është me rëndësi që për Nënë Terezën dhe figura me përmasa të tilla të diskutohet sa më shumë me të rinjtë universitarë.
Pas monografisë “Nënë Tereza e Shenjtë apo e Famshme”, dr.Alpion ka botuar përmbledhje esesh, mes të cilave mbi qytetërimin nga Aleksandri i Madh te Nënë Tereza.
Ai është autor i studimeve mbi sociologjinë e fesë, kombit, mediave, racës dhe etnicitetit të botuara në revista shkencore të Anglisë, Amerikës, Australisë, Hollandës dhe Indisë.
I vlerësuar si studiuesi më i rëndësishëm në gjuhën angleze për Nënë Terezën, dr.Alpion është ftuar të zhvillojë mëse 50 leksione dhe biseda në konferenca ndërkombëtare dhe universitete të mirënjohura në 14 vende dhe pikëpamjet e tij citohen vazhdimisht nga mediat botërore në mbi 25 vende.