Në Shqipëri, inflacioni regjistroi një rritje të menjëhershme duke kapur kuotën e 4.5 përqind gjatë muajit shkurt e duke kapërcyer kështu edhe kufirin maksmimal prej 4 përqind të Bankës Qendrore.
"Indeksi i grupit të ushqimeve "Pije Jo alkoolike" shënoi një rritje prej 4.9 për qind. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 23.5 për qind vërehet në grupin e zarzavateve. Gjatë muajit shkurt, çmimet janë rritur edhe në nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë grupin bukë dhe drithëra me 3.2 për qind, fruta 4 për qind, sheqer dhe ëmbëlsira 3.3 për qind."
Sipas Instat, rritje është regjistruar pothuajse në të gjithë grupet. Kështu shtrenjtim me 2.2 përqind është vërejtur edhe në grupin “Pije alkoolike dhe duhan”, e në të njejtën mase edhe grupi “Shëndeti” ku është verifikuar rritja e cmimit të medikameteve. Edhe në shkurt ka vijuar shtrenjtimi I karburanteve, ku nafta është rritur me 1.5 përqind ndërsa benzina me 1.3.
Të dhënat e Instat nuk përbëjnë ndonjë surprizë, duke qenë se prej disa javësh çmimet në treg pësuan një rritje të shpejtë. Megjithatë sipas deklarimeve të fundit të Bankës së Shqipëri, edhe gjatë këtij viti inflacioni do të mbetet mesatarisht brenda objektivit të saj. Guvernatori Ardian Fullani deklaroi dy javë më parë se në parashikimet e veta, Banka kishte mbajtur parasysh edhe efektin e rritjes së cmimeve në tregjet ndërkombëtare.