Ndihmat ruse hyjnë në veriun e Kosovës

Ndihmat ruse hyjnë në veriun e Kosovës

Autokolona me ndihma nga Rusia për serbët në veriun e Kosovës, hyri sot në Kosovë pas tri ditë qëndrimi në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinë. Hyrja u mundësua nga një marrëveshje ndërmjet Bashkimit Evropian dhe zyrtarëve rus, të cilët u pajtuan që autokolona të shoqërohej nga një numër i kufizuar i pjesëtarëve të policisë së EULEX-it.

Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, ndaloi të martën në kufi autokolonën me 25 kamionë që bartin rreth 280 tonelata me ndihma, që është përgjigje e Moskës ndaj një kërkese të rreth 20 mijë serbëve për të marrë shtetësinë ruse si mbrojtje ndaj asaj që ata e quajnë, ndjekje nga shqiptarët e Kosovës.

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Konuzin kishte refuzuar kërkesën e EULEX-it për të shoqëruar autokolonën më ndihma apo që ajo të hyjë në Kosovë nëpërmjet vendkalimit kufitar në Merdar, në veri të Prishtinës. Ai tha se vendkalimi në Merdarë kontrollohet nga pushteti në Prishtinë, që nuk njihet as nga Rusia e as nga Serbia. Zyrtarët rus e akuzuan EULEX-in për siç thuhet “shantazh politik”.

Zyrtarë të EULEX-it ngulën këmbë se ato janë e vetmja rrugë për hyrjen e ndihmave ruse në Kosovë.

Edhe autoritetet më të larta të Kosovës thanë se, dërgimi i ndihmave është një vendim politik i qeverisë ruse dhe jo pse ka krizë humanitare në veri. Ata thanë se nuk do të lejohet hyrja e këtyre ndihmave pa respektimin e procedurave e nevojshme.

Grupe serbësh u mblodhën sot për të pritur ndihmat ruse dhe ambasadorin rus në Beograd, i cili pos tjerash u dorëzoi atyre një ikonë, dhuratë e kryeministrit rus Vladimir Putin.

Serbët e shohin Rusinë si aleaten e tyre tradicionale e cila vazhdon të mbështesë kundërshtimin serb ndaj pavarësisë së Kosovës. Rusia mbështetë serbët në veri të cilët po mbajnë të bllokuara rrugët që nga 25 korriku në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës edhe në atë pjesë të vendit.

Situata në veri ku përfaqësuesit radikalë të komunitetit serb bllokuan rrugët dhe u përleshën me forcat paqeruajtëse të NATO-s, ishte vendimtare për shtyrjen e vendimit të Bashkimit Evropian për t’i dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Më e prera në qëndrimin e saj ishte kancelarja gjermane Angela Merkel e cila tha se Serbia nuk i ka përmbushur kushtet për afrimin e saj me strukturat e Bashkimit Evropian, ndërsa ka krijuar një mjedis për dhunë në veriun e Kosovës. Ajo në fillim të dhjetorit tërhoqi vërejtjen se rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian mund të realizohet vetëm nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Një qëndrim të tillë ajo pritet ta transmetojë edhe të hënën më 19 dhjetor, kur pritet të vizitojë Kosovën.