Ministrat e jashtëm të Natos po zhvillojnë një takim dy ditor në Bruksel, ndërsa gjendja e sigurisë në rajone të ndryshme të botës është përkeqësuar, apo siç u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i aleancës “takimi zhvillohet në një mjedis të errët të sigurie”. Ndërkohë nesër, aleanca pritet t’i ofrojë Malit të Zi ftesën e anëtarësimit.
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu dhe Ministri i Jashtëm britanik Philip Hammond janë mes atyre që po marrin pjesë në takimin dy-ditor në Bruksel që do të përqëndrohet tek Afganistani dhe strategjia e sigurisë në Lindjen e Mesme.
"Mjedisi i sigurisë në të cilin takohemi sot është i errët: sulme terroriste, paqëndrueshmëri e dhunshme, prishje e rregullave ndërkombëtare. Këto janë sfida serioze nga drejtime të ndryshme dhe Nato po përgjigjet. Sot dhe nesër, ne do të marrim hapat e mëtejshëm” tha Sekretari i Përgjithshëm i aleancës Jens Stoltenberg.
Takimi vjen gjashtë ditë pasi Turqia, anëtare e Natos, rrëzoi një avion luftarak rus në incidentin e parë të njohur të këtij lloji që nga Lufta e Ftohtë. Turqia ka mbështetjen e Natos në të drejtën e saj për t’u vetmbrojtur tha zoti Stoltenberg, duke shtuar se vëmendja duhet të përqëndrohet tani në uljen e tensioneve.
"Mendoj se vëmendja tani duhet të jetë tek ulja e përshkallëzimit të tensioneve dhe mënyra për të përmirësuar mekanizmat e për të shmangur incidente si ai që pamë javën e kaluar”.
Nesër aleanca pritet t’i ofrojë Malit të Zi ftesën për t’u anëtarësuar në Nato. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Elizabeth Trudeau tha se anatërësimi i këtij vendi në NATO do të kontribuojë për të shtuar sigurinë në Ballkan dhe Evropë.
“Ne përshëndesim përparimet që ka arritur qeveria e Malit të Zi dhe ne jemi të përgatitur të mbështesim ftesën e anëtarësimit. Ne besojmë se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, do të ndihmonte për sigurinë në Ballkan dhe Evropë”.
Dhe ndërsa aktivitetet ushtarake të Rusisë nga Balltiku në Lindjen e Mesme po u afrohen gjithnjë e më shumë kufijve të Natos, Sekretari i Përgjithshëm i alancës Stoltenberg bëri thirrje për procedura të reja komunikimi me Moskën për të shmangur aksidentet, si nga bombardimet në Siri, apo gjatë stërvitjeve ushtarake të kryera nga Rusia dhe Nato.