Ministrat e Jashtëm të NATO-s, mbyllën takimin e tyre dyditor në Uashington, që shënoi edhe 70 vjetorin e krijimit të aleancës, me një deklaratë kur shprehnin unitetin, rikonfirmonin rolin e saj si aleanca më e fortë në histori dhe radhisnin sfidat e sigurisë, përfshirë rrezikun nga Rusia, nga terrorizmi, mungesa e qendrueshmërisë ndërkufitare që kontribuon në imigracionin e paligjshëm dhe rreziqet kibernetike.
Your browser doesn’t support HTML5
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s
Në një shenjë se kërkesat e vazhdueshme të Presidentit amerikan Donald Trump për rritjen e kontributit financiar të vendeve anëtare kanë pasur efekt, në deklaratë shprehej vendosmëria për të “përmirësuar balancën e ndarjes së kostos dhe përgjegjësive për sigurinë tonë të pandashme”.
“Sa për Shtetet e Bashkuara ne do të vazhdojmë të mbajmë barrën që na takon, do të vazhdojmë të udhëheqim me NATO-n dhe kështu do të mbrojmë liritë e popullit tonë dhe popujve të aleatëve tanë”, tha Sekretari amerikan i Shtetin Mike Pompeo, në një konferencë shtypi në mbyllje të takimit.
Presidenti Trump ka theksuar përsëri këto dy ditë se vendet aleate duhet të kontribuojnë më shumë për mbrojtjen dhe tha të martën se trysnia e tij në këtë drejtim ka funksionuar me shtimine dhjetëra miliardë dollarëshe, por se aleatët duhet të shtojnë edhe më shumë buxhetet e tyre për këtë qëllim.
Zoti Stoltenberg e pranoi që trysnia e Presidentit Trump për rritjen e kontributit financiar nga vendet anëtare kishte funksionuar, por ai gjithashtu përçoi mesazhin se Amerikës i duhen miqtë.
Megjithëse herë pas here toni i takimit ishte pozitiv dhe bashkëpunues, vetë fakti që ishte e nevojshme të theksohej domosdoshmëria e rolit të Shteteve të Bashkuara në NATO dhe ndërvarësia mes vendeve anëtare, është dëshmi e tensioneve të tanishme të një marrëdhënieje që gjithmonë është konsideruar e palëkundur.
70 vjet NATO
“Aleanca e NATO-s nuk është vetëm më jetëgjata në histori, por edhe më e suksesshmja në histori.”
Me këto fjalë iu drejtua Jens Stoltenbergu Kongresit, hera e parë që një
Sekretar i Përgjithshëm i aleancës, fliste para Kongresit. Shpesh fjala e tij u përshëndet me brohoritje. Filli që përshkoi komentet e tij ishte lidhja e pazgjidhshme e aleancës së NATO-s.
Ai vuri në dukje se NATO-ja kishte frenuar Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, ndaluar mizoritë në Ballkan dhe kishte luftuar terrorizmin nga Afganistani në Lindjen e Mesme, si edhe kishte mirëpritur vendet e reja të lira të Evropës Qendrore dhe Lindore në Aleancë.
“Amerika ka qenë shtylla kurrizore e Aleancës sonë. Ajo ka qenë thelbësore për sigurinë evropiane dhe për lirinë tonë. Ne nuk do të kishim një Evropë paqësore dhe të begatë që shohim sot pa sakrificën dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara,” tha zoti Stoltenberg.
Më pas në ceremoninë zyrtare të hapjes së ministerialit, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i bëri jehonë temës së rëndësisë së NATO-s dhe përmendi sukseset e saj, disa prej të cilave, kanë pasur një ndikim jetik në vendet e Ballkanit.
“NATO-ja ngriti Partneritetin për Paqe, përmes së cilit u mirëpritën më shumë vende, si anëtarë të kësaj aleance kritike. NATO-ja iu kundërvu spastrimit etnik në Ballkan dhe më së fundmi, ne kemi ndërmarrë një luftë të përbashkët kundër terrorizmit në vende si Afganistani dhe në Irak”, tha ai.
Të enjten në mëngjes, në Departamentin e Shtetit zoti Pompeo, përshëndeti Maqedoninë e Veriut:
“Dua t’i uroj në mënyrë të veçantë kolegut tonë Nikola Dimitrov të Maqedonisë së Veriut. Ky është ministeriali i parë i NATO-s për ju, ndërsa përgatitemi që vendi juaj të bëhet anëtari i 30-ë i aleancës dhe është kënaqësi të them që javën e kaluar dorëzuam në Senatin amerikan dokumentat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut”.
Rreziku nga Rusia
Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, paralajmëroi Kongresin amerikan të mërkurën për kërcënënimin që paraqet “një Rusi më agresive” ndaj NATO-s, përfshirë shkeljen e Traktatit për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme.
“Ne nuk duam një garë të re armatimesh. Ne nuk duam një Luftë të Re të Ftohtë, por nuk duhet të jemi naivë. Një marrëveshje që respektohet vetëm nga njëra palë, nuk do të na mbajë të sigurt. Prandaj duhet të përgatitemi edhe për një botë pa atë traktat. Do të jemi të matur dhe të koordinuar. Nuk do të bëjmë atë që bën Rusia. NATO-ja nuk ka qëllim të dislokojë raketa bërthamore në terren në Evropë, por NATO-ja do të marrë gjithmonë hapat e nevojshëm për të siguruar masa frenuese të besueshme dhe efektive”.
Në Konferencën e shtypit në mbyllje të takimit, zoti Stoltenberg hodhi poshtë idenë se Rusia mund të jetë e justifikuar në shqetësimet se NATO-ja po zgjerohet drejt Lindjes, me aspiratat e Gjeorgjisë dhe Ukrainës për anëtarësim, duke thënë se ato janë vende të pavarura dhe sovrane.
“Zgjerimi nuk do të thotë që NATO-ja po shkon drejt lindjes, por që ato vende të Evropës Qendrore dhe Lindore që donin të anëtarësoheshin në NATO, e vendosën një gjë të tillë përmes proceseve demokratike”, tha ai.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s ranë dakord mbi një paketë masash për të ndihmuar aspirantët e aleancës, Gjeorgjinë dhe Ukrainën, veçanërisht me rritjen e bashkëpunimit detar në Detin e Zi, patrullimet dhe vizitat portuale.
Çarje me Turqinë
Por ndërsa zoti Stoltenberg dhe NATO-ja donin të paraqisnin një front të bashkuar para Rusisë, në një shenjë përçarjeje, Turqia këmbënguli se do të vazhdonte me planin për të blerë një sistem raketash nga Rusia.
inistri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu tha në Uashington se nuk kishte kthim mbrapa nga blerja e sistemit rus të mbrojtjes S-400, dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara, pezulluan pjesëmarrjen e aleatit të tyre të NATO-s në programin e avionëve luftarakë F-35.
Por zoti Cavusoglu tha në një aktivitet të mbajtur nga organizatat e sigurisë dhe politikave në Uashington se Turqia gjithsesi vazhdon të mbështesë NATO-n në shqetësimet e saj kryesore me Rusinë dhe se nuk do ta njihte kurrë marrjen nën kontroll të Krimesë.
“Sidoqoftë, ne gjithmonë jemi përpjekur të përmirësojmë, thellojmë dhe forcojmë marrëdhënien tonë me aleatët tanë veçanërisht me Shtetet e bashkuara dhe ne i vlerësojmë marrëdhëniet tona dypalëshe”, tha zoti Cavusoglu.
Reagimi amerikan erdhi pas disa orësh në të njëjtën sallë, kur nënpresidenti Mike Pence tha se Shtetet e Bashkuara nuk do qendrojnë pasive ndërsa një vend aleat blen armë nga kundërshtarët.
“Blerja nga ana e Turqisë e një sistemi kundërajror S-400 me vlerë 2.5 miliardë dollarë nga Rusia, përbën një rrezik të madh për NATO-n dhe për forcën e kësaj aleance”, tha ai.
Ndërsa Sekretari Pompeo hodhi poshtë pretendimet e ministrit turk se informacioni për bisedën mes tyre ishte një keqinterpretim, duke ritheksuar se qëndrimi amerikan ishte i qartë, kundër kësaj blerjeje.
Takimi dyditor mbyllet duke qenë njëkohësisht një afirmin i suksesit historik të aleancës, por edhe një kujtesë për sfidat e shumta në një botë të ndryshuar.