Stoltenberg në Shkup: pa ndryshim të emrit nuk ka anëtarësim në NATO

  • Isak Ramadani

Sekretari i Përgjithsëm i NATO-s, Jens Stoltenberg vjen në Shkup për herë të dytë brenda këtij viti. Ai u përpoq të bindë edhe kundërshtarët e ndryshimit të emrit të Maqedonisë këtu në Shkup se zbatimi i Marrëveshjes me Greqinë është alternativa e vetme për t’u integruar në NATO. Ai tha se të dy palët, Shkuupi dhe Athina bënë kompromise të vështira për të arritur rrugëdaljen historike.

“Është vendimi i juaj, por është me rëndësi që të dëgjohet zëri juaj. Inkurajoj votuesit të dalin në numër të madh në referendum. Ky është rast që jepet një herë në jetë për t’u bërë anëtar i plotë i komunitetit ndërkombëtar me të gjitha të mirat që i sjell kjo”, - tha ai.

“Ne jemi gati. Jemi gati ta pranojmë vendin tuaj si anëtarin e tridhjetë të NATO-s sapo të zbatohen procedurat tuaja kombëtare dhe jam i bindur se të gjithë aleatët do ta ratifikojnë anëtarësimin tuaj”.

Your browser doesn’t support HTML5

Stoltenberg viziton Maqedoninë

"Dera e NATO-s është e hapur por vetëm populli i këtij vendi mund të vendosë për të ecur brenda saj. Fati juaj është në duart tuaja; Ju presim në NATO !" - Ishin këto disa nga mesazhet e fuqishme që dha zoti Stoltenberg.

Ai shtoi se “anëtarësimi në NATO për Maqedoninë tash është shumë afër; se është një mundësi për të konsoliduar paqen dhe qëndrueshmërinë brenda shtetit dhe në rajon, për të fituar votën e barabartë në tryezën e NATO-s dhe për t’iu bashkuar Aleancës më të sukseshshme në histori”, siç u shpreh.

Ai u shpreh me vendosmëri se nuk ekziston alterntiva për t’i thënë PO Natos dhe JO marrëveshjes për çështjen e emrit.

Sekretari i NATO-s foli për përfitimet ekonomike që arrijnë shtetet, siç është rasti me Malin e Zi që ka arritur dyfishin e investimeve nga vendet e aleancës vetëm një vit pas anëtarësimit.

Stoltenberg vërejti se reformat po zbatohen në Maqedoni, përfshirë sundimin e ligjit, ato në fushën e sigurisë, të kundërzbulimit dhe atë të mbrojtjes, ndërsa inkurajoi autoritetet të vazhdojnë me reformat.

Ai njoftoi se Protokolli për pranim në Aleancë mund të nënshkruhet këtë dimër.

Ndërkaq, kryeministri Zoran Zaev pret nga partitë kryesore sidomos opozita të tregojë unitet dhe do të përfshihet në procese: Ai tha se integrimi në BE dhe NATO janë përparësitë strategjike dhe kombëtare të Maqedonisë. Ai theksoi se fushata e referendumit mbështetet në objektivitet, transparencë dhe arësye:

“Qëllimi ynë, shtoi Zaev, është t’i informojmë qytetarët për përfitimet nga pranimi i Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO dhe për rëndësinë e zgjidhjes së problemit maqedono-grek”.

Ai është i bindur në suksesin e referendumit për të vazhduar më pas me ndryshimet kushtetuese pa vonesë.

“Po përgatisim një plan për zbatimin e reformave në pajtim me programin e NATO-s për vazhdimin e reformave; theks i veçantë do t’i kushtohet sundimit të ligjit, reformave në gjyqësor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformave në fushën e mbrojtjes dhe të shërbimeve sekrete” - tha kryeministri maqedonas.

Në takimin me presidentin Gjorgje Ivanov, sipas kabinetit të këtij të fundit, Ivanov është shprehur, mes tjerash se vendi i Maqedonisë është në BE dhe NATO dhe si do të vazhdojë të mbështesë synimet srategjike, por se BE dhe NATO në asnjë mënyrë nuk duhet të jenë alibi për një marrëveshje të keqe, duke aluduar në atë të Prespës midis qeverisë greke dhe maqedonase për ndryshimin e emrit.

Z. Stoltenberg vizitoi një fshat të Shkupit ku para dy vjetësh ushtarët e KFOR-it ndihmuan me pajisjet e tyre për pastrimin e rrugëve nga vërshimet katastrofale që e goditën këtë zonë.

Në kuadër të përpjekjeve për nxitjen e reformave dhe shtyrjen e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së në Shkup të enjten ishte edhe ministri i jashtëm i Luksemburgut, Zhan Asselborn, ndërkohë që të premten vjen Kancelari austriak Sebastian Kurz dhe për herë të parë të shtunen, pritet të arrijë Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Po ashtu pritet konfirmimi i vizitës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis.