Japoni: Vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll një krizë të rrezikshme

  • Zëri Amerikës

Japoni: Vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll një krizë të rrezikshme

Në Tokio, zjarrfikësit po përdorin kamionët dhe pompat e tyre për të hedhur ujë në reaktorët e centralit bërthamor në Fukushima, në përpjekje për të vënë nën kontroll një krizë të rrezikshme.
Stacioni televiziv NHK i Japonisë njoftoi se punëtorët e zjarrfikësve të Tokios hynë në godinë, duke përdorur kamionët e tyre, me të cilët mund të hedhin ujë nga një lartësi 22 metra, duke përdorur ujë të pompuar direkt nga deti.

Ata po e përqëndrojnë punën në reaktorin numër 2, ku shufrat e nxehura janë më shumë në rrezik të çlirojnë radioaktivitet në atmosferë.

Sipas rrejetit televiziv NHK, zjarrfikësit po bashkërendojnë punën me punonjësit elektrikë që të vendosin lidhjen e rrymës, që u ndërpre nga tërmeti dhe cunami i së premtes së kaluar. Por zyrtarët thanë se mund të duhet kohë deri të dielën që rryma elektrike të kthehet në reeaktorët e dëmtuar.

Ndërkohë, Kryeministri i Japonisë, Naoto Kan tha se kriza bërthamore në centralin e dëmtuar bërthamor të Fukushimas është "shumë e rëndë", ndërsa inxhinjerët vazhduan përpjekjet e dëshpëruara për të parandaluar një katastrofë edhe më të madhe.

Kryeministri Kan tha sot se policia, zjarrfikësit dhe ushtria kishin vënë në rrezik jetën e tyre.
Qeveria japoneze e ngriti sot shkallën e rrezikut nga katastrofa bërthamore nga 4 në 5 pikë në një shkallë me 7 pikë që përdoret nga komuniteti ndërkombëtar. Niveli 5 sinjalizon një aksident me pasoja më të mëdha, përfshirë edhe çlirim materialesh radioaktive me një mundësi të madhe rreziku për publikun.