Zëvendësprokurori i Përgjithshëm i SHBA, Rod Rosenstein u tha ligjvënësve të mërkurën se ai nuk ka arsye për të shkarkuar prokurorin e posaçëm Robert Mueller, i cili po drejton hetimin për të gjetur nëse fushata e zotit Donald Trump ka bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Zoti Rosenstein dëshmoi para Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, një ditë pasi u bënë publike qindra mesazheve SMS të shkëmbyera midis dy zyrtarëve të FBI-së në ekipin e hetuesve të zotit Mueller. Në mesazhe ata shfaqnin pikëpamje kundër zotit Trump, duke bërë që disa ligjvënës të vënë në dyshim paanshmërinë e FBI-së, agjencia kryesore ligjzbatuese e vendit.
Rosenstein, i cili është personi që emëroi zotin Mueller dhe që mbikëqyr punën e ekipit të tij, u përball me pyetje rreth zotit Mueller nga anëtari demokrat i komisionit, Jerrold Nadler. “Nëse ju urdhërojnë sot ta shkarkoni zotin Mueller çfarë do të bënit,” pyeti Nadler. “Do të ndiqja rregullin. Nëse do të kishte arsye bindëse, do të veproja, përndryshe nuk do të veproja”, u përgjigj Rosenstein, i cili shtoi se deri tani nuk ka gjetur ndonjë arsye bindëse.
Pikëpyetjet rreth integritetit të hetimit të zotit Mueller u ngritën pas shkarkimit gjatë verës të agjentit të FBI-së Peter Strzok, pas zbulimit të mesazheve SMS që ai kishte shkëmbyer me avokaten e FBI-së Lisa Page. Të dy bënin pjesë në ekipin e agjentëve dhe prokurorëve që hetojnë rreth përfshirjes së Rusisë në zgjedhje.
Mesazhet, të zbuluara së pari në media gjatë këtij muaj, iu dorëzuan komisioneve të kongresit dhe u komentuan gjerësisht nga disa media të martën mbrëma.
Presidenti Trump dhe ligjvënësit republikanë e përdorën këtë rast për të akuzuar FBI-në se është politikisht e njëanshme, duke thënë se përfundimet e arritura nga ekipi i zotit Mueller nuk mund të jenë të besueshme.
Ndër 375 mesazhet e publikuara të martën ishte edhe një shkëmbim i datës 4 mars 2016. Page përshkruante kandidatin Trump si një "njeri të neveritshëm”, ndërsa Strzok përgjigjej: "E megjithatë ai mund të fitojë (në zgjedhje)". Kur Strzok e pyeste nëse ajo besonte se zoti Trump do të ishte një president më i keq sesa republikani Ted Cruz, Page përgjigjej: "Po, ashtu mendoj”.
Page dhe Strzok shkëmbenin komente nënçmuese edhe për demokratët, përfshirë kandidatin presidencial Bernie Sanders dhe ish-Prokurorin e Përgjithshëm Eric Holder.
Inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë po heton tekstet si pjesë e një hetimi të gjerë për mënyrën se si FBI-ja ka trajtuar çështjen e serverit personal të zonjës Clinton dhe lidhjet e dyshuara të fushatës Trump me Moskën.