Ish-prokurori i posaçëm Robert Mueller po dëshmon sot para Kongresit, lidhur me ndërhyrjen ruse në favor të Donald Trumpit dhe nëse presidenti më pas pengoi drejtësinë, duke u përpjekur të ndalte hetimin e prokurorit. Zoti Mueller tha në Kongres se hetimi i tij nuk e shfajësoi presidentin Trump lidhur për pengimin e mundshëm të drejtësisë.
Pohimi i tij bie ndesh me këmbënguljen e Presidentit Trump se raporti i Prokurorit të Posaçëm e shfajëson atë për pengimin e drejtësisë me përpjekjet për të ndalur hetimin. Dëshmia e zotit Mueller po përputhet pothuajse plotësisht me raportin e tij dhe nuk po sjell shumë informacione të reja.
Your browser doesn’t support HTML5
Në fillim të seancës, kreu demokrat i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerrold Nadler e pyeti prokurorin nëse e kishte nxjerrë plotësisht të pafajshëm zotin Trump:
Zoti Mueller tha “jo”.
"Presidenti nuk u nxorr i pafajshëm për akte të cilat ai akuzohet se i ka kryer”.
Megjithatë zoti Mueller shpjegoi se mbi Presidentin Trump nuk mund të ngrihen akuza penale, për shkak të një rregulli të Departamentit të Drejtësisë, sipas së cilit ndalohet paditja e një presidenti në detyrë.
“Mbështetur tek politikat dhe parimet e Departamentit të Drejtësisë për drejtësinë (e procesit), ne vendosëm që të mos japim një përcaktim, lidhur me faktin nëse presidenti kreu krim”, tha ai.
Më pas gjatë seancës, kongresmeni republikan Ken Buck e pyeti zotin Mueller:
"A mund të ngrini akuza ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara me pengim të drejtësisë kur të mos jetë më në detyrë”?
"Po", u përgjigj zoti Mueller.
Ish-Prokurori i Posaçëm tha se ekipi i tij u përpoq pa sukses për një vit të arrinte një marrëveshje me zotin Trump që të jepte një dëshmi personalisht, por presidenti vetëm iu përgjigj disa pyetjeve me shkrim.
Në komentet e tij në fillim të seancës, zoti Mueller tha se hetimi arriti në përfundimin se qeveria ruse ndërhyri në zgjedhjet amerikane në mënyrë të gjerë dhe sistematike.
Zoti Mueller tha për një nga përfundimet më të rëndësishme dhe të debatueshme:
“Ne nuk e trajtuam bashkëpunimin me qëllim, që nuk është një term ligjor”.
Zoti Mueller konfirmoi gjithashtu se Presidenti Trump donte ta shkarkonte pasi ai po hetonte për pengimin e drejtësisë.
Zoti Mueller theksoi se dëshmia e tij do të ishte e kufizuar, pasi ajo mund të ndikonte në çështje që nuk janë përfundimtare dhe sepse Departamenti i Drejtësisë kishte përdorur provilegjin që të mos ta lejonte të fliste për disa tema.
Presidenti Trump kishte thënë se nuk kishte ndër mend ta shohë seancën pesë orëshe të zotit Mueller dhe këmbëngul se seancat janë një humbje e jashtëzakonshme kohe.
Pak para se të fillonte seanca, ai shkruajti në Twitter: “JO KONSPIRACION, JO PENGIM”.
Seancat janë kritike për 235 demokratët e opozitës në Dhomën e Përfaqësuesve, një e treta prej të cilëve kanë bërë thirrje për fillimin e një procesi shkarkimi ose një hetimi për shkarkim për presidentin Trump.
Aleatët e Presidentit Trump në Kongres thonë se zoti Mueller nuk gjeti asgjë inkriminuese për zotin Trump dhe se kjo çështje duhet mbyllur dhe këtë qëndrim po mbajnë edhe në seancë.
Ndërsa mbahet seanca e dytë e dëshmisë, para komisionit të zbulimit, nuk ka dyshim se kjo është një ditë dramatike në Uashington, qoftë edhe nga fakti që zoti Mueller i cili pothuajse nuk ka folur fare për raportin, flet në seanca të hapura për publikun. Në fakt miliona amerikanë që nuk e kanë lexuar raportin prej 448 faqesh të prokurorit të posaçëm, po e shohin këtë dëshmi.