Kryeministri i Irakut Haider al-Abadi shpalli zyrtarisht fitoren mbi grupin Shteti Islamik në Mosul.
Ai e bëri njoftimin të hënën, në një fjalim të mbajtur në televizionin shtetëror.
Ndërkohë që zyrtarët festojnë fitoren, vazhdon beteja e cila po zhvillohet tani në terren më të ngushtë, dhe koalicioni po mbështet operacionet me goditje nga ajri kundër objektivave të ISIS.
Ushtarët përshkruajnë etapat e fundit të betejës më të ashpër me ekstremistët ISIS, duke u futur nëpër banesa për të kapur kryengritësit.
Kur perëndoi dielli mbi Mosul të dielën, autokolona e Kryeministrit irakian Haidar al-Abadi u largua nga “qyteti i çliruar i Mosulit”. Disa banorë entuziastë u mblodhën për të festuar vizitën e tij, duke xhiruar me celularë momentin.
Luftë deri në Vdekje
Pjesa dërrmuese e Mosulit është nën kontrollin e forcave irakiane. Ekstremistët kontrollojnë rreth 200 metra katrorë. Ushtarët irakianë thanë se ekstremistët, pjesa më e madhe të ardhur nga vende të tjera duken të gatshëm të luftojnë deri në vdekje.
"Thërrisnin ‘Largohuni nga kjo tokë myslimane, ju të pafe’,” – thotë Barak Razaq, pjesëtar i forcave speciale irakiane. Ai tregon se kishte parë ekstremistë me jelekë vetëvrasës.
Ushtarët përllogarisin se 100-150 luftëtarë janë të angazhuar në Mosul dhe qëllimi i tyre është të kapin gjallë sa më shumë pjesëtarë të ISIS. Ata parashikojnë se beteja do të përfundojë brenda pak ditësh dhe më pas do të zhvendosen në qytete të tjera të kontrolluara nga ISIS, si dhe në luftën kundër “celulave të fjetura” që besohet se gjenden në zonat e banuara të Mosulit.
"Tani përdorim një tjetër lloj granate, që shkakton vetëm plagosje,” thotë togeri Mohamad Sahab.
Luftëtarët të Fshehur mes Refugjatëve
"Këta janë luftëtarë të ISIS,” thotë një ushtar duke treguar një grup me të arrestuar. “Ata thonë se nuk janë, por snajperët tanë i panë kur po luftonin. Hodhën armët dhe pretendojnë se janë refugjatë”.
Një ndër të arrestuarit, i quajtur Mashan, thotë se erdhi tek forcat irakiane pasi nuk kishte bukë, as ujë. Ai duket i çorientuar kur e pyesin nëse po mbështeste ISIS. “Ata nuk na dhanë asgjë,” thotë Mashan.
Pak kilometra larg fushëbetejës, duken banesat e rrënuara të qytetit ku ekipet kërkojnë për të mbijetuar apo të vrarë. “Ky është qytet fantazmash,” thotë shoferi i ambulancës duke shtuar se nuk ka gjetur të plagosur për të dërguar në klinikë, por ka shumë trupa viktimash të vrara. Ngado ndjehet era e vdekjes.
"Njerëzit nuk do të kthehen as pas gjashtë muajsh,” shton ai para se të largohet për t’iu treguar të tjerëve ku ndodhen trupat e tre civilëve të vdekur që duhen transportuar.
Mijëra civilë janë vrarë në këtë betejë dhe 900 mijë janë detyruar të braktisin banesat. Zona të mëdha të Mosulit dhe vendbanimeve përreth janë braktisur dhe shumë njerëz thonë se nuk ndjehen të sigurtë të kthehen.
Kur Mund të Ndjehen të Sigurtë?
Lagja e Vjetër e qytetit është zona e dëmtuar më rëndë në Mosul, megjithatë në qytet nuk ka lagje që nuk është dëmtuar në një farë mase pas tre vjet sundimi nga ISIS dhe thuajse nëntë muaj konflikt.
Në disa pjesë të Mosulit lindor, që u rimorën nga forcat irakiane në janar, përpjekjet e rindërtimit po ecin mirë. Blerësit dalin në rrugë, ku në disa segmente është shtruar asfalt i ri, Qeveria ka riparuar linjat elektrike dhe është rivendosur furnizimi me energji dhe ujë për pjesë të mirë të qytetit.
Mosuli perëndimor është shkatërruar në masë të madhe, por ushtarët shpresojnë se rindërtimi do të fillojë sapo të përfundojnë luftimet.
"Pas pak ditësh do të festojmë,” tha Togeri Sahab ndërkohë që luftëtarët nën komandën e tij vazhdonin të qëllonin në drejtim të objektivave të ISIS. “Do të notojmë në Lumin e Tigrit”.
Ambasadori James Jeffrey, studiues në Institutin e Uashingtonit për Politikat në Lindjen e Afërme thotë për Zërin e Amerikës se ndihmat dhe përpjekjet e rindërtimit janë vetëm hapi i parë pas rimarrjes së Mosulit.
"Hapi i dytë është politik, siç ndodh gjithmonë në Irak,” thotë zoti Jeffrey. “Si do të parandalohet rikthimi i ISIS, si do të integrohen në procese arabët e sektit suni dhe si do të garantohet që kurdët, të cilët operojnë në mënyrë mjaft autonome, të përfshihen në role pozitive? Këto janë çështje madhore me të cilat jemi ballafaquar që nga viti 2003,” thotë James Jeffrey i Institutit të Uashingtonit për Politikat në Lindjen e Afërme.